Sport

Holanda dhe Belgjika pritet të bashkojnë ligën kryesore të futbollit


Dy nga tre vendet e Beneluksit, Belgjika dhe Holanda, pritet që së shpejti të vijnë me një ligë futbolli të përbashkët. Liga do të përbëhet nga ekipet më të mira të të dy vendeve. Pra, do ketë një shkrirje midis Pro Ligës belge dhe Eredivise-s holandeze.

Klubet kryesore në Belgjikë kanë votuar “pro” një bashkimi të tillë futbollistik me Holandën. Në asamblenë e Pro Ligës, u votua unanimisht një “marrëveshjeje në parim” për bashkimin e ligës, nga 25 klube.

“Kjo ambicje bazohet si në respektimin e ambicjeve sportive të klubeve të mëdha, ashtu edhe në nevojën për stabilitet ekonomik për klubet e tjera profesioniste”, thuhej në deklaratën e Pro Ligës.

“25 klubet janë unanimisht dakord për t’i dhënë një shans krijimit të BeNe Ligës”.

Detajet dhe formati janë diskutuar për muaj me radhë midis klubeve holandeze dhe atyre belge, por, propozimi zyrtar akoma nuk është zbuluar.

Projekti ka ngritur shqetësime të ndryshme, që më së shumti lidhen me frikën se kjo lloj lige do të favorizonte vetëm klubet e mëdha.

Liga e përbashkët e Belgjikës dhe Holandës do të përfshijë tetë skuadra belge dhe 10 holandeze. Belgjika gjithashtu do të ketë edhe garën e vet të brendshme, për klube më të vogla.

Në Belgjikë, 10 klubet e tjera që do të mbesnin jashtë BeNe Ligës, do të luanin në Pro Liga, së bashku me tetë klube të tjera nga divizioni i dytë belg.

Klubet e mëdha belge që janë propozuar për në BeNe Liga janë: Club Brugge, Anderlecht, Standard Liege, Gent, Genk, Royal Antwerp, Charleroi dhe klubi i tetë nuk është përcaktuar ende.

Pas disa vitesh nga hedhja e idesë së parë për bashkimin e ligave, që nuk kishte gjetur mbështetjen e klubeve të vogla, këtë vit gjithçka ka ndryshuar.

Kompania këshilluese Deloitte llogarti se një bashkim i mundshëm i dy ligave do të gjeneronte të ardhura për klubet, në shifrën e 400 milionë eurove në vit, nga marketingu dhe të drejtat televizive.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore