Lajme

Hodhën flamurin turk në Lumbardh, Gjykata ia cakton një muaj paraburgim pesë personave në Prizren


Prizreni

Gjykata Themelore në Prizren ia caktuar një muaj paraburgim pesë personave për shkak se 17 shkurt në Prizren përball objektit të Konsullit Turk e kishin marrë flamurin e Turqisë të cilin e kishin hedhur në Lumbardh.

“Departamenti i Përgjithshëm, gjyqtarja e procedurës – Shpresa Emra, ka caktuar masën e paraburgimit ndaj të pandehurit F.Q., në kohëzgjatje 30 ditë, e cila do të llogaritet prej datës 18.02.2022, dhe mund të zgjasë deri më datën 18.03.2022, për shkak të dyshimit të bazuar se në bashkëkryerje me katër të miturit ka kryer veprën penale nxitja e përçarjes dhe mos durimit’, thuhet në njoftimin e Gjykatës.

Ndërsa Departamenti për të Mitur, gjyqtarja e procedurës – Kymete Kicaj, ka caktuar masën e paraqitjes në stacion Policor në kohëzgjatje 30 ditë, e cila do të llogaritet prej datës 19.02.2022, dhe mund të zgjasë deri më datën 19.03.2022, ndaj të miturve V.Q., A.B., L.B., dhe M.N.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, e pati cilësuar si veprim të papranueshëm largimin e flamurit turk nga Prizreni nga disa të rinj.

“Veprimet e tilla dëmtojnë rëndë vlerat tona si shtet në të cilin mbizotëron bashkëjetesa dhe toleranca ndëretnike”.

Edhe kryetari i Prizrenit, Shaqir Totaj, theksoi se “unë si kryetar i Komunës së Prizrenit, në emër të institucioneve komunale, dënojmë aktin e largimit të flamujve turk nga shtyllat, ku i kemi vendosur ne, për nder të 14 vjetorit të Pavarësisë së Republikës së Kosovës”.

Totaj ka potencuar se “Shteti mik Turqia, ka qenë dhe mbetet një ndër shtetet më mbështetëse të vendit tonë”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore