Euro 2020

Historiku në ndeshjet hapëse të Evropianëve


Kanë mbetur më pak se pesë orë nga fillimi i Evropianit të 16-të në histori.

Që nga fillimet e tij në vitin 1960, EURO nuk është ndalur, e vazhdon edhe ditët e sotme.

Çdo katër vjet, në stadiume të ndryshme evropiane, vjen spektakli i jashtëzakonshëm që ofrojnë shtetet e kontinentit të vjetër.

Dhe, ndeshja që ngre siparin, shpeshherë tërheq audiencë të jashtëzakonshme.

Por, si kanë shkuar ndeshjet hapëse të 15 evropianëve të kaluar?

EURO 1960

I pari Evropian organizonte vetëm katër ndeshje, për shkak të formatit më të shkurtuar, e ndeshja hapëse qëllonte të ishte gjysmëfinale.

Ndeshja e parë e EURO 1960, ndeshja e parë në histori të Evropianëve, luhej në “Parc Des Princes”, mes Francës dhe Jugosllavisë.

Kjo ndeshje do të mbetet në histori si ndeshja hapëse me më shumë gola.

Plot nëntë herë portierët u detyruan ta nxjerrin topin nga rrjeta.

Jugosllavia fitoi me rezultat 5-4, duke thyer zemrat e 26 mijë tifozëve vendas.

EURO 1964

Sistemi vazhdoi të jetë i njëjtë, me vetëm katër skuadra.

Ndeshja hapëse luhej në mitikun “Santiago Bernabeu”-n, ku vendasit spanjollë përballeshin me Hungarinë.

“El Brujo”, siç njihej Amancio, legjenda e Deportivo La Coruna-s, shënoi golin e vazhdimeve në kohën shtesë.

Spanja fitoi ndeshjen 2-1 dhe do të fitonte edhe gjithë Evropianin, duke bërë atë që s’e bëri Franca, triumfin para tifozërisë vendase.

EURO 1968

Katër ishin skuadrat përsëri, e ndeshja hapëse luhej në “San Paolo” të Napoli-t, mes Italisë dhe Bashkimit Sovjetik.

Kjo mund të konsiderohet edhe si ndeshja më e çuditshme në histori të një Evropiani.

As koha e rregullt, as vazhdimet dhe as penalltitë nuk zgjodhën fituesin.

Ishte një monedhë, ishte fati, ai që përcaktoi finalistin e parë në EURO-n e tretë.

Me rregullin që ishte caktuar para ndeshjes, dy kapitenët shkonin në dhomat e zhveshjes pas ndeshjes.

“Koka apo bishti”, ishte pyetja që do të caktonte finalistin.

Kapiteni italian, Giacinto Fachetti, zgjodhi “bishtin”, dhe fati i ndihmoi.

Italia, në këtë mënyrë, iu drejtua finales, të cilën më pas e fitoi në Romë.

EURO 1972

Ndeshja, apo ndeshjet hapëse.

Ishte hera e parë që dy gjysmëfinalet zhvilloheshin në të njëjtin orar.

Hungaria, humbi 0-1 përballë Bashkimit Sovjetik.

Kurse, për Belgjikën, ishte e pamundur që të gjenin “vaksinën” anti-Gerd Muller, me legjendën e Gjermanisë Perëndimore që shënoi dy golat që dërguan Gjermaninë në finalën e tyre të parë.

I njëjti do shënonte dy herë edhe në finale, duke ia fituar perëndimorëve EURO 1972-shin.

EURO 1976

E njëjta histori ishte edhe në këtë Evropian, të dy ndeshjet zhvilloheshin në të njëjtën kohë.

Kjo do të mbetet edhe dita hapëse me më shumë gola në histori të EURO-ve.

Plotë dhjetë.

Çekosllovakia fitoi 3-1 përballë Holandës.

Gjermania Perëndimore fitoi 4-2 përballë Jugosllavisë.

Çekosllovakët do të fitonin Evropianin me golin e të famshmit Antonin Panenka, që shpiki edhe një stil të ri të goditurit të penalltive.

EURO 1980

Evropiani i parë me tetë skuadra, njëkohësisht me fazë të grupeve.

Në Romë, përsëritej finalja e EURO 1976, për ndeshjen hapëse të Evropianit.

Çekosllovakia dhe Gjermania Perëndimore, testonin njëra-tjetrën përsëri.

Rummenigge, me golin në minutën e 57-të, kompletoi “hakmarrjen” e Gjermanisë, të cilët fituan 1-0.

Në fund, perëndimorët do të fitonin EURO 1980 falë një fitore përballë Belgjikës.

EURO 1984

Në “Parc des Princes”, Franca, që në po të njëjtin stadium hapi historinë e Evropianëve, filloi edhe EURO 1984-ën.

Ata përballeshin me Danimarkën.

Ishte fantazisti Michael Platini që i siguroi fitoren vendasve, më një gol në dhjetë minutat e fundit.

Ata që e hapën me fitore, e mbyllën në të njëjtën mënyrë.

Falë një tjetër magjie të Platini-s, Franca u shpall kampion i EURO 1984, duke mundur Spanjën në finale.

EURO 1988

EURO 1988, që zhvillohej në Gjermani, do të shënonte edhe barazimin e parë zyrtar në një ndeshje hapëse.

Gjermania Perëndimore, u përballë me Italinë më Dusseldorf.

Ndeshja përfundoi 1-1.

Për herë të parë në histori, asnjëra nga ekipet që luante në ndeshjen hapëse, nuk merrte pjesë në finale.

Holanda e Van Basten, do të fitonte Evropianin në finalen përballë Bashkimit Sovjetik.

EURO 1992

Suedia, ndeshjen e parë të tyre në Evropian, e luante përballë Francës.

Kjo ndeshje qëlloi të jetë edhe ajo hapëse e Evropianit skandinav.

Gjithçka përfundoi në barazim 1-1, duke shënuar kështu edhe një hapje pa fitues.

Danimarka shkaktoi befasinë në atë Evropian, duke e ngritur trofeun në qiell pas fitores 2-0 përballë Gjermanisë së bashkuar në finale.

EURO 1996

Ky ishte edhe Evropiani i parë me 16 skuadra.

Para publikut vendas, Anglia priste Zvicrën debutuese.

Tre launët dështuan të arrijnë fitoren, duke shënuar kështu Evropianin e tretë me radhë që hapej me barazim.

Gjermania e fitoi atë EURO, me anë të ‘golit të artë’ nga Oliver Bierhoff.

EURO 2000

Belgjika dhe Holanda, për herë të parë organizonin një EURO të bashkaur.

Të parët mbajtën ndeshjen hapëse.

Belgët thyen tabun e barazimeve, duke fituar 2-1 përballë Suedisë.

‘Goli i artë’ vendosi edhe këtë Evropian, me Francën që me anë të golit të Trezeguet, ngriti trofeun në qiell.

EURO 2004

Është hera e vetme në histori të Evropianëve, që ndeshja hapëse, do të ishte e njëjta si ndeshja mbyllëse.

Portugalia o shokua nga Greqia në “Dragao”, duke humbur 2-1.

Të dy skuadrat u përballen edhe në finale, e verdikti ishte i njëjti.

Greqia, jashtë çdo parashikimi, pas fitores 1-0 në “Da Luz”, theu zemrat vëndase, e u bë fituese e EURO 2004.

EURO 2008

Zvicra dhe Çekia do të hapnin EURO 2008.

Vendasit u gjunjëzuan në Basel, nga një gol i Sverkos.

Kjo ishte hera e parë në histori që dy shtete që ndodheshin jashtë ‘top 20’ në listën e FIFA-s dhe UEFA-s, luanin mes vete në një Evropian.

Po ashtu, ishte hera e parë që asnjëra nga skuadrat e ndeshjes hapëse, nuk kalonin në raundin tjetër.

Spanja e fitoi EURO 2008, falë golit të Torres në finalen përballë Gjermanisë.

EURO 2012

Tradita vazhdoi.

Dy skuadra që nuk ndodheshin në mesin e 20 më të mirave, përsëri hapnin Evropianin.

Polonia, në Warsaw, ndeshjen me kampionët e vitit 2004, Greqinë.

Ndeshja përfundoi në barazim, në një ndeshje që prodhoi shumë raste, por vetëm dy gola.

Ky Evropian do të dhuronte fitoren më të thellë ndonjëherë në një finale, me Spanjën që rifitoi titullin, pas fitores 4-0 përballë Italisë.

EURO 2016

Numri ‘2’ në short, i mohoi Shqipërisë që të luante ndeshjen hapëse.

Në “Stade de France”, Franca priste Rumaninë.

Ndeshja përfundoi në favor 2-1 për vendasit, të cilët fituanin në momentet e fundit.

Këta të fundit do të arrinin finalen, ku do të humbnin 1-0 në kohën shtesë përballë Portugalisë.

EURO 2020

Italia luan për herë të tretë në ndeshjen hapëse, kurse Turqia këtë ndjesi e provon për herë të parë.

Shteti italian organizon ndeshjen hapëse për herë të tretë, për herë të dytë në “Stadio Olimpico”.

Në kushte të pazakonta, ndeshja zhvillohet me kapacitet të reduktuar të tifozërive.

Në orën 21:00, Turqi – Itali, ngrit siparin e një tjetër kompeticioni të jashtëzakonshëm.

Se çfarë kapitulli do të hap kjo ndeshje, mbetet për t’u parë sonte, e në 50 ndeshjet në vazhdim…

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore