Lajme

Historiani italian pretendon se ka identifikuar urën në sfondin e Mona Lizës


Një qytet i vogël në Toskanë është në ditën e tij më të mirë pasi pretendohet se ura e pikturuar në sfondin e portretit më të famshëm në botë – Mona Lisa e Leonardo da Vinçit – i përket qytetit.

Historiani italian Silvano Vinceti nuk ka asnjë dyshim se ura Romito di Laterina në provincën e Arezzo është ajo që Leonardo ka pikturuar në peizazhin e fshatit pas Mona Lizës enigmatike.

Kjo do t’i jepte fund një misteri që ka nxitur mosmarrëveshje të panumërta ndër vite.

Leonardo e pikturoi Mona Lizën në Firence në fillim të shekullit të XVI-të dhe identiteti i gruas së paraqitur në pikturën e vajit – që besohet gjerësisht të jetë Lisa del Giocondo – ka shkaktuar po aq spekulime sa edhe sfondi i largët.

Teoritë në të kaluarën e kanë identifikuar urën si Ponte Buriano, afër Laterinës, si dhe Ponte Bobbio në qytetin verior italian të Piacenza.

Duke përdorur dokumente historike dhe imazhe me dron, dhe duke bërë krahasime midis pikturës dhe fotografive të zonës, Vinceti ka thënë se ishte “ura etrusko-romake, Romito”.

Sipas tij, detaji më domethënës është numri i harqeve: ura në pikturën e Leonardos kishte katër harqe, ashtu si edhe Romito.

Kurse Ponte Buriano ka gjashtë harqe, ndërsa Ponte Bobbio ka më shumë se gjashtë.

Mbetet vetëm një hark i Romitos, i cili shtrihej përgjatë lumit Arno, si dhe themelet e urës në anën e kundërt të bregut të lumit.

Dokumentet që i përkisnin familjes Medici që u gjetën në arkivat shtetërore të Firences treguan se midis viteve 1501 dhe 1503 ura ishte “një urë shumë e ngarkuar dhe funksionale”, sipas Vinceti.

Dhe se pikërisht në atë kohë Leonardo ishte në zonën e Val d’Arno, fillimisht në shërbim të Cesare Borgia, një kardinal nga familja më famëkeqe fisnike në Italinë e Rilindjes, dhe më pas për Piero Soderinin, një burrë shteti i Republika e Firences.

Ura siguroi një rrugë të shkurtër që reduktoi udhëtimin midis Arezzo, Fiesole dhe Firence me disa orë.

Sakaq, Vinceti mati gjerësinë midis brigjeve të lumit dhe, duke përdorur madhësinë e harkut të mbetur, konstatoi se katër harqe me të njëjtën madhësi përshtateshin në mënyrë të përkryer përgjatë shtrirjes.

“Forma dalluese e Arnos përgjatë asaj shtrirjeje territori korrespondon me atë që Leonardo portretizoi në peizazhin në të majtë të gruas fisnike të përshkruar në pikturën e famshme”, ka thënë ai.

Po ashtu Vinceti gjeti dokumente që dëshmojnë se Leonardo banonte shpesh në Fiesole në atë kohë, me një dajë që ishte prift.

Simona Neri, kryebashkiaku i Laterina-s, ka thënë se teoria e Vincetit kishte shkaktuar shumë emocione në qytetin me pak më shumë se 3 mijë e 500 banorë.

“Ne duhet të përpiqemi të mbrojmë atë që ka mbetur nga ura, e cila do të kërkojë fonde”, ka thënë ai.

Vinceti ka bërë edhe disa pretendime të tjera për Mona Lizën në të kaluarën, duke përfshirë atë se Leonardo përdori një model mashkull dhe femër në portretin që varet pas një xhami antiplumb në muzeun e Luvrit në Paris.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore