Muzikë

Historia e “luftërave” të Nicki Minaj me yjet e tjera të muzikës


Nëse ka një mësim jetësor që bota e muzikës na ka dhënë gjatë viteve, është – “të mos ngatërrohesh me Nicki Minaj”.

Rep artistja, 38 vjeçe, pos që ka dëshmuar se është sinonim suksesi në tregun muzikor botëror, ajo gjithashtu e ka treguar pjesën e saj “të egër”, sa herë që i është dhënë mundësia.

Nuk janë të pakta koleget e saj me të cilat ylli i hitit “Super Bass”, ka zhvilluar “luftë” duke e shfaqur atë hapur në tekste të këngëve të saj por pa iu shmangur edhe takimeve të drejtpërdrejta.

Ani pse në vitin 2016, gjatë një interviste me prezantuesen, Ellen DeGeneres, Nicki, kishte deklaruar se pendohet për grindjet që ajo bën me koleget e saj duke u shprehur – “Unë jam një person i ëmbël dhe nuk dua të jem e keqe për njerëzit”. Por, kjo nuk e ka penguar atë të vazhdoj zanatin e vjetër.

Rep artistet, Cardi B, Remy Ma, Lil Kim dhe këngëtaret, Miley Cyrus, Taylor Swift, Mariah Carey e Demi Lovato, janë vetëm disa nga emrat me të cilat Minaj kishte zënka.

Cardi B

Nicki Minaj, Cardi B.

Shenjat e para të tensionit mes dyshes filluan në pranverën e vitit 2017, kur Minaj u duk se “pëlqeu” komentin e një fansi në Instagram duke hedhur poshtë një nga vargjet rep të Cardi B.

Gjërat vetëm filluan të përshkallëzohen verën e ardhshme pasi kënga e vetme e Cardi “Bodak Yellow” kryesoi në top listat dhe ajo nënshkroi kontratë me “Atlantic Records”.

Zënka mes Nicki Minaj dhe Cardi B morri kahje tjetër kur u publikua kënga “Motorsport” që përfshinte dyshen në bashkëpunim me Migos.

Skenat e klipit ishin te xhiruara në vende të ndryshme, dhe artistet as që ishin takuar.

Madje, kishte thashetheme se ato të dyja nuk e kanë ditur se ishin pjesë e projektit të përbashkët dilemë të cilën nuk e qartësuan kurrë as Nicki dhe as Cardi B.

Por, problemi mes Nickit dhe Cardit, u rrit akoma më shumë gjatë evenimentit të “New York Fashion Week Party”, ku dyshja filluan me grindje fizike.

E gjithë kjo pas disa thashethemeve se Minaj kishte komentuar Cardi B si një nënë jo të mirë, qa e shtyu Cardin të ecte drejt saj gjatë natës gala dhe të tentonte ta sulmonte fizikisht.

Cardi nuk e pati mundësinë as ta prekte fytyrën e Minaj, çka e bëri atë ta zbathi këpucën dhe të gjuaj në drejtim të Nickit, por që nuk rezultoi suksesshëm sepse u sulmua ekipi sigurues i rep artistes dhe jo ajo.

Raporti i tyre vazhdon të jetë i ftohur ndërsa Minaj nuk ka hezituar ta bllokoj në rrjetet e saj sociale, rep artisten interesante, Cardi B.

Remy MA

Nicki Minaj, Remy Ma.

“Lufta” mes Nicki Minaj dhe Remy Ma kishte nisur që moti, por zhvillimi i saj final u bë kur, kjo e dyta publikoi këngën shtatë minutëshe, “Shether”, brenda të cilës e kishte akuzuar Minaj për gjëra të shumta, nga pabesia deri tek operacionet plastike.

“Shether” vazhdon të mbetet kënga më e suksesshme e Remy Ma, kjo me gjasë të përmendjes së Nickit gjatë gjithë tekstit të këngës.

Ndërsa, Nicki si Nicki! Ajo nuk e la me aq.

Në vitin 2017 në bashkëpunim me rep artistët, Drake dhe Lil Wayne, trshja publikuan këngën “No Frauds”, e cila shënoi sukses të padiskutueshëm, e që një mesazh të vogël kishte edhe për Remy Ma.

“Keni 72 orë për të lëshuar një hit dhe unë do t’ju jap gjysmë milioni dollarë nëse mund të rezervoni ndonjë shfaqje ose intervistë pa përmendur emrin e Mbretëreshës”, shkroi Minaj aso kohe në Instagram.

Marrëdhëniet mes dyshes nuk u normalizuan kurrë, teksa Nicki vazhdoi me korrje suksesi dhe Remy Ma nuk është se prodhoi më ndonjë hit.

Lil Kim

Nicki Minaj, Lil Kim.

Mbretëresha e “Barbs” ishte në kundërshtim me Queen Bee teksa kjo e fundit e akuzoi Minaj se i vodhi një melodi muzikore si dhe ishte influencuar nga stili i saj në mënyrën e të kënduarit

Grindja virtuale mes dyshes zuri vend në tabloidet kryesore të mediave rozë.

Nicki Minaj aso kohe publikoi albumin e saj “Pink Friday”, dhe si kundërpërgjigje Lil Kim publikoi albumin e saj “Black Friday”.

Taylor Swift

Nicki Minaj, Taylor Swift.

Gjithçka filloi me një postim në Twitter.

Swift dhe Minaj patën një shkëmbim të nxehtë në faqen e mediave sociale pasi rep artistja foli për mungesën e saj të një nominimi për video të vitit në “MTV Video Music Awards 2015”, me gjasë duke iu referuar nominimit të Swift.

Swift, e cila ishte e vetmja femër që mori një nominim në atë kategori, iu përgjigj postimit thumbues së Minaj, duke akuzuar yllin për ngritjen e “grave kundër njëra-tjetrës”.

Minaj vuri në dukje se ajo nuk përmendi asnjëherë këngëtaren.

Taylor kërkoi një armëpushim në një post pasues, duke shkruar, “Nëse fitoj, të lutem më dil !!” (Swift përfundoi duke marrë çmimin në shtëpi.)

Këngëtarja e “Blank Space” më vonë postoi në Twitter një kërkim falje ndaj yllit të repit, duke shkruar se ajo “humbi sensin” e postimeve të Minaj.

Gjithçka u duk se mori fund kur të dyja bashkë performuan në skenën e “VMA” me këngën e Taylor, “Bad Blood”.

Por paqja zgjati shkurt, sepse Minaj, pak kohë më pas u ftua për bashkëpunim nga rivalja kryesore e Taylor Swift, Katy Perry.

Që nga publikimi i bashkëpunimit “Swish Swish” mes Nick dhe Katy, raporti mes Swift dhe Minaj është indiferent.

Miley Cyrus

Nicki Minaj, Miley Cyrus.

Nicki Minaj nuk ndaloi kurrë së dëshmuari se ajo nuk është personalitet që kërkon falje e as që iu ik problemeve.

Një grindje spektakulare mes Miley Cyrus dhe Nicki Minaj u zhvillua gjatë ceremonisë së ndarjes së çmimeve “VMA”, pak ditë para së cilës, Miley e kishte kritikuar Nickin për raportet e egra me yjet e tjerë e sidomos me Taylor Swift.

Por, Nicki, edhe një herë dëshmoi karakterin e saj të guximshëm teksa gjatë pranimit të çmimit për “Videon më të mirë”, ajo bëri një fjalim që u bë viral brenda minutave.

“Tani, përsëri këtu ndeshem me një “zuskë” e cila ditën tjetër del dhe fol diçka keq për mua në shtyp? Miley Cyrus këtu je?”, u shpreh Minaj.

Miley ato momente gjendej në një skenë tjetër dhe u kundërpërgjigj, por që vëmendja e publikut kishte ikur, sepse të gjithë të ftuarit akoma ishin duke rrahur shuplaka për fjalimin e Minaj.

“Ne të gjithë bëjmë intervista. Dhe të gjithë e dimë se si manipulojnë ”, tha Miley.

Historia mes dyshes ka vazhduar me rrugë të ndara, por të suksesshme!

Mariah Carey

Nicki Minaj, Mariah Carey

Bashkë me Nicki Minaj, pjesë e jurisë së spektaklit për zbulim të talenteve ishte edhe këngëtarja, Mariah Carey.

Në media dolën thashetheme se Carey kishte thënë se Minaj – “nuk ka afinitet të këndoj, prandaj nuk duhet të jete pjese e jurisë”.

Këto thashetheme duket t’i kenë rënë sy edhe Nickit, e cila e ofendoi dhe injori, Careyn, pothuajse në çdo episod të spektaklit.

Qëndrimet e saj u cilësuan ikonike teksa dyshja braktisen spektaklin në të njëjtën ditë gjatë vitit 2013.

Demi Lovato

Nicki Minaj, Jeremy Scott, Demi Lovato.

Rep artistja, Nicki Minaj, “betejë” nuk e la pa zhvilluar as me këngëtaren, Demi Lovato.

Gjatë evenimentit, “Met Gala 2016”, Minaj dhe Lovato ishin veshur nga disenjatori i famshëm i markës “Moschino”, Jeremy Scott.

Demi e etiketoi Scott në fotografitë e saj të publikuara, por Nicki jo.

Kjo qoi në reagime nga Lovato, e cila hodhi kunja drejt Minaj duke thënë se – “Kjo mbase ishte paraqitja ime e fundit në ‘Met Gala'”.

Nicki ishte indiferente ndaj Lovatos, duke mos i dhënë asaj vëmendje por që u aludua se atë natë Demi ishte përulur nga Nicki, pasi ajo e kishte përshëndetur rep artisten dhe kjo e fundit nuk ia kishte kthyer fare.

Madje, Nicki me zor kishte pranuar te fotografohet bashkë me Scott dhe Lovaton.

Eh po çka të bësh, kjo është Nicki Minaj!

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore