Lojëra

EVO #37: Historia e Daigo Umehara-s, legjenda e Street Fighter-it


Në fillim të viteve ‘90, Daigo Umehara, vetëm 10 vjeç, filloi të frekuentonte qendrat e kompjuterëve me xhetona (arcade). Aty, për herë të parë, nisi të luante Street Fighter II dhe Fatal Fury: King of Fighters.

Askujt nuk do t’ia merrte mendja se ai do të kthehej në Lionel Messi-n apo Cristiano Ronaldo-n e Street Fighter-it.

Historia e tij të çon te personazhet e filmave të animuar japonezë.

Umehara, si të gjithë ata që nuk kanë qenë pjesë pro-aktive e shoqërisë, të cilët zgjedhin sportin, gazetarinë apo sektorin kompjuterik etj., ka luajtur video-lojëra gjithë jetën.

Ai është një ndër më të mirët, në mos më i miri i të gjithë kohërave në lojërat 2D (dy-dimensionale) të zhanrit dyluftimi.

Umehara konsiderohet legjenda e Street Fighter. Kjo është loja e parë e zhanrit dyluftues, që u  prodhua nga kompania japoneze Capcom.

Formati i Street Fighter është i tillë: lojë dy-dimensionale, ku paraqiten një seri personazhesh, nga e cila lojtari zgjedh një, ose të luajë me kompjuterin, ose të luajë me dikë tjetër në të njëjtën kohë. Ashtu siç ka dhe emrin (fighting game), në thelb janë artet marciale apo çdo lloj tjetër sporti ku ka kontakt fizik.

Pra, ti, lojtari, bashkë me personazhin tënd të cilin e komandon, ke për qëllim të mposhtësh kundërshtarin dhe e kundërta. Pak a shumë, si në boks apo në UFC.

Rrugëtimi i Daigo-s për t’u bërë numri një në Street Fighter e ka gjenezën pikërisht aty ku shumë të tjerë moshatarë si ai, jo vetëm në Japoni, por në mbarë botën kanë filluar eksperiencën e video-lojërave, të cilat luhen dyshe.

Në komunitetin e hemisferës perëndimore të Street Fighter-it, ai njihet me nofkën “Bisha”. Kurse, në pjesën lindore të Japonisë, ku u lind, Daigo thërritet me mbiemrin e tij Umehara ose shkurt Ume.

EVO 2004

“Evolution” ose shkurt EVO, është kampionati më prestigjioz i video-lojërave të dyluftimit. Kampionati zhvillohet për vit dhe me epiqendër në SHBA.

Në të përfshihen të gjitha video-lojërat me dyluftim, të cilat përmbushin kriteret për t’u quajtur e-sporte (sporte elektronike).

Daigo ishte nga ana e humbësve. Sipas rregullave të kompeticionit zyrtar: duhej që të fitonte gjashtë lojëra përpara se kundërshtari i tij të merrte tre. Kështu do të kualifikohej dhe do t’i jepej mundësia, edhe pse e fundit, të garonte për titullin kampion.

Por kundërshtari nuk ishte dosido. Ai quhet Justin Wong dhe në SHBA është kampion i të njëjtit kalibër si Daigo.

Wong ishte specialist dhe kampion i padiskutueshëm në kampionatet e zhvilluara të serisë së video-lojërave Marvel vs Capcom, por askush nuk mendonte se do të arrinte të konkurronte në nivelin më të lartë edhe në Street Fighter.

Për më tepër, midis Umehara-s dhe Wong-ut kishte nisur një rivalitet me bazë metodologjie – ndanin stile dhe psiko-filozofi të ndryshme. Fakt që e shtoi tensionin dhe tifozllëkun.

Momenti #37 i EVO-s

Pas çdo edicioni të EVO-s, drejtuesit përpilojnë momentet më të bukura të kampionatit me video, duke i shpërndarë në forma alternative nëpër internet. Youtube-i nuk ekzistonte në atë kohë për ta lehtësuar shpërndarjen e këtyre përmbledhjeve të përvitshme.

Pak a shumë si “highlight”-ed e një ndeshjeje boksi. Në fakt, Youtube u themelua më 14 shkurt 2005, në Kaliforni të SHBA-ve.

Ishte raundi i fundit i lojës së parë midis Umehara-s dhe Wong-ut në Street Fighter 3rd Strike. Ky i fundit kishte arritur të vendoste Umehara-n në një pozitë aspak të favorshme. Wong luajti kundërlojën e Umehara-s, atë të kujdesshmen, që godet me nga pak, ndërsa mbrohet mirë.

Nga ana tjetër, Umehara, ashtu siç ka dhe nofkën “Bisha”, shfaq stilin e tij: agresiv dhe mjaft i mprehtë në leximin e lëvizjeve të kundërshtarit, duke iu kundërpërgjigjur saktësisht.

Me këtë ritëm Wong arriti ta zbrazte shufrën e jetës (mund të konsiderohet si metri që tregon sesa jetë ka personazhi në lojë përpara se të arrijë në zero dhe të mposhtet, me rregullat elektro-automatike të video-lojës) me Chun Lee, karaktere ikonike në serinë me famë botërore të Street Fighter-it.

Atij i mjaftonte një komandë e fundit për ta prekur Ken-in (personazhi që komandonte Umehara). Po aq ikonik, në mos më shumë se Chun Lee dhe për t’ia zeruar shufrën e jetës. Wong zgjodhi rrugën më të sigurt dhe më të shpejtë për ta kryer këtë: aktivizimi i një lëvizjeje speciale.

Kjo realizohet nëpërmjet një kombinimi komandash, duke aktivizuar një animim special lëvizjesh të një personazhi. Me pak fjalë, me më pak se 30 sekonda kohë dhe me një grimcë jete për Umehara-n, fitorja dukej e sigurt për amerikanin Wong; ky u quajt momenti #37-të i EVO-s.

Mirëpo, duke qenë se Street Fighter 3rd Strike ishte loja e parë e Capcom, ku u implementua një funksion i ri, quajtur “parry”, çka u lejonte lojtarëve me cilindo personazh të shmangnin goditjet e personazhit kundërshtar, vetëm nëse shtypnin në drejtim të kundërt dhe në ritëm me lëvizjen kundërshtare, Umehara ia doli.

Wong aktivizoi një breshëri prej 12 goditjesh nga personazhi Chun Lee, karakteristikë e të cilit është shpejtësia me të cilën vërsulet. Kështu, Umehara u gjend përball një misioni të realizuar kurrë më parë: ose do të humbiste lehtësisht nëse mbrohej, ose të të shmangte (parry) të 12 goditjet. A ka shans të ndodhë e dyta, sepse për të parën gjasat ishin më shumë se 99%…

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore