Euro 2020

Histori/ Pesë vite më parë, Kombëtarja kuqezi debutoi në Kampionatin Europian


Data 11 qershor përkon me datën kur Kombëtarja e Shqipërisë debutoi në një kompeticion të rëndësishëm të UEFA-s, siç është Kampionati Europian i Futbollit (Euro). Pesë vite më parë, Shqipëria do të merrte pjesë në “Euro 2016”, në Francë.

Më 11 qershor 2016, kuqezinjtë u përballën me Zvicrën, në ndeshjen e parë në Euro 2016 në stadiumin e Lensit “Stade Bollaert-Delelis”. Të pranishëm në atë sfidë ishin 33 mijë e 805 spektatorë.

Shqipëria do ta niste ndeshjen me formacionin: Etrit Berisha, Lorik Cana (c), Elseid Hysaj, Mërgim Mavraj, Taulant Xhaka, Ansi Agolli, Amir Abrashi, Burim Kukeli, Ermir Lenjani, Odise Roshi dhe Armando Sadiku.

Gjatë ndeshjes u aktivizuan edhe Ergys Kaçe (zëvendësoi Xhakën në minutën e 62-të), Sokol Cikalleshi (zëvendësoi Roshin në minutën e 74-t) dhe Shkëlzen Gashi (zëvendësoi Armando Sadikun në minutën e 82-të).

E veçanta e ndeshjes ishte përballja e dy vëllezërve Xhaka. Taulanti përfaqësonte Shqipërinë, ndërsa Graniti Zvicrën.

Ndeshja u mbyll me fitoren e zviceranëve, me rezultatin e ngushtë 1-0. Golin e takimit e shënoi mbrojtësi Fabian Schar, në minutën e pestë. Në minutën e 36-të, kapiteni i Shqipërisë, Cana, u detyrua të linte fushën e lojës, pas ndëshkimit me karton të kuq.

Shqipëria ishte pjesë e Grupit A, në Euro 2016, së bashku me Francën, Zvicrën dhe Rumaninë. Kuqezinjtë e mbyllën fazën e grupeve në vendin e tretë me tri pikë, ndërsa Franca doli e para me shtatë pikë, Zvicra e dyta me pesë pikë dhe Rumania e fundit me një pikë.

Një gol shënoi Shqipëria në atë kampionat dhe pësoi tre. Armando Sadiku ishte lojtari që shënoi golin e vetëm të Shqipërisë. Gol i shënuar në atë fitore 1-0 përballë Rumanisë, në minutën e 43-të.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore