Sport

Histori/ Koha kur Anglia ndaloi futbollin për femrat


Anglia besohet se ka shpikur futbollin dhe si e tillë, sigurisht që ka patur hapsira për të zhvilluar edhe futbollin e femrave. Madje gjatë fillimit të Luftës së Dytë Botërore, kur burrat shkuan në luftë, futbolli i femrave mori famë akoma dhe më shumë, duke e eklipsuar totalisht futbollin e meshkujve. Por pikërisht pas kësaj fame kaq të madhe, do të vinte edhe lajmi i hidhur, në vitin 1921, Federata Angleze e Futbollit e ndaloi dhe e bëri të jashtëligjëshme futbollin e femrave.

Futbolli i femrave në Mbreterinë e Bashkuar, i ka rrënjët më të lashta se shekulli i XX-të. Në Skoci në shekullin e XVIII-të, përdorej gjerësisht ndeshja e futbollit midis grave të martuara dhe atyre beqare, që thuhet se ishte një traditë, ku meshkujt beqarë të zgjidhnin gruan e ardhshme të tyre.

Lulëzimi i vërtet i futbollit të femrave erdhi nga fundi i shekullit të XIX-të, së bashku me futbollin e meshkujve. Ndër femrat e para që u morë me futbollin dhe arriti që të linte gjurmë në historinë e këtij sporti ishte: Nettie J Honeyball, e cila krijoi British Ladies’ Football Club (BLFC) në 1895.

BLFC organizonte ndeshje midis grave të jugut dhe të veriut, duke mbledhur para, për t’i dhënë për bamirësi. Këto ndeshje tërhoqën shumë vëmendjen e njerëzve, duke e bërë shumë popullorë këtë sport.

Për kohën, futbolli i femrave ishte një hap gjigand, duke e ditur që në shumicën e shteteve në botë, femrat nuk kishin as të drejtën e votës dhe jo më të lejoheshin që të argëtoheshin duke luajtur në publik.

Ndërsa organizimi i futbollit të femrave vazhdonte të rritej, në 1920, do të vinte edhe ndeshja e parë ndërkombëtare në futbollin e femrave, ajo midis Anglisë dhe Francës, e luajtur në Paris.

Ndeshje të cilën britaniket do e fitonin me shifrat 2-0 dhe do të rrisnin famën e tyre akoma dhe më shumë, ndërkohë që këto kohë më shumë se tetë milionë femra fituan të drejtën e votës, duke ndikuar dhe në forcimin e pozitës së femrës në shoqëri.

Ky popullaritet në rritje, zbehja e interesit për futbollin e meshkujve, por edhe mbarimi i Luftës së Parë Botërore, bëri të mundur që Federata Angleze e Futbollit, më 5 dhjetor 1921, të shpallte zyrtarisht si të jashtëligjshëm futbollin e femrave, me një vendim që duket tërësisht racist me baza gjinore.

Vetëm 50 vite më vonë, në 1971, Federata Angleze e Futbollit i lejon femrat që të riluajnë futboll. Tashmë femrat kanë kompeticionet e tyre, si në rang kombëtar ashtu edhe në rang europian e më gjerë, të njohura nga UEFA dhe FIFA./AlbanianPost.com

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore