Shqipëria

Hiqet perdja komuniste e “një mbi një dritareve”


Pamja e "një mbi një dritareve", pas rrënimit të shkollës nëntëvjeçare "Llambi Goxhamani"

Në heshtje qytetare dhe politike, nën zhurmën e eskavatorëve u rrëzua simboli i vrazhdësisë komuniste që pengonte pamjen historike të Beratit.

Ngrehina e cila përveç një epoke të errët nuk përfaqësonte asgjë, u shemb pasi për gjysmë shekulli i kishte zënë frymën qytetit të “një mbi një dritareve”.

E vendosur në ballë të zonës muzeale të qytetit, ndërtesa e shkollës “Llambi Goxhamani” ishte perde për Mangalenin, lagjen më të rëndësishme për nga trashëgimia kulturore.

Ajo ka qenë e kontestuar edhe nga UNESKO-ja, pasi vendodhja e saj bllokonte pamjen e pastër të trashëgimisë mesjetare të Beratit.

Objekti nuk përfaqësonte asnjë vlerë historike dhe arkitekturore dhe ishte në kontrast me ndërtesat muzeale.

Për më tepër, në vendimin për prishjen e saj, shkolla është cilësuar jashtë kushteve për zhvillimin e mësimit.

Hapësira e re do të shfrytëzohet si një shesh që ndërthur dy objektet e kultit, një xhami dhe një teqe, po aq të vjetra në Berat.

Sipas kryetarit të Bashkisë, asnjë ndërtim i ri nuk do të mund ta zëvendësojë objektin e prishur.

Ndërkohë, nxënësit e shkollës “Llambi Goxhamani” janë zhvendosur në shkolla të tjera të qytetit.

Qytetarët ishin të ndarë, mes keqardhjes për prishjen e një objekti që ka funksionuar si shkollë ku kanë kujtimet e tyre, dhe dakortësisë për prishjen e një objekti të komunizmit që mbyllte pamjen e “një mbi një dritareve”.

Por, përtej gjithçkaje, rrënimi është kthim në vërtetësinë mijëravjeçare të qytetit të Beratit.

Qyteti i Beratit vazhdon të mbetet një nga destinacionet më të preferuara për turistët e huaj, pa lënë pas edhe ata vendas. Fakti që qyteti i Beratit, është pjesë e UNESCO-s, por dhe vlerat e veçanta kulturore dhe historike që kjo zonë mbart ndër vite, kanë tërhequr gjithnjë e më shumë vëmendjen e turistëve për ta vizituar.

Berati ka të ndërthur në mënyrë harmonike kulturën perëndimore me atë lindore dhe dëshmon më së miri traditën e harmonisë fetare në vend. Vetëm 90 minuta larg nga Tirana, Berati mund të ofrojë ushqim të shijshëm, akomodim të lirë, mikpritje dhe histori.

Drejtoria Rajonale e Kulturës Kombëtare në Berat bën të ditur se kalaja e Beratit është një ndër pikat turistike, e cila ka një numër vizitorësh që vjen gjithnjë në rritje. Ajo përbën një nga atraksionet turistike më të preferuara në Shqipëri për turistët e huaj dhe ata vendas.

Kalaja e Beratit është një nga monumentet më të mëdha historike të Ballkanit, një fortesë e madhe që sundon mbi lumin Osum.

Me mbi 210 objekte muzeale, 60 prej të cilave të shpallura si monumente të kategorisë së parë, Berati konsiderohet si një nga qytetet me trashëgiminë më të pasur kulturore, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në rajon.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore