Përballje

Himni dhe emri i Kosovës ndalohen në televizionin publik të Spanjës


Televizioni Publik i Spanjës, “TVE”, ështe detyruar që ta ndërpresë transmetimin në çastin kur himni shtetëror i Kosovës të këndohet në Sevillë, në ndeshjen kualifikuese të Kampionatit Botëror ndërmjet Spanjës dhe Kosovës.

Gjithashtu komentatorët e televizionit publik të Spanjës, do ta kenë të ndaluar ta përmendin emrin “Kosovë” gjatë transmetimit të ndeshjes, shkruan prestigjiozja “Marca”.

Shkaku i mos transmetimit të himnit shtetëror të Kosovës dhe shmangia e fjalës “Kosovë” kur t’i drejtohen ekipit Dardan, vjen për shkak se qeveria e Spanjës nuk e njeh pavarësinë e shtetit të Kosovës.

Sipas të përditshmes spanjolle, “Marca”, komentatorët e “TVE” do t’i drejtohen ekipit të Kosovës si “Federata e Futbollit e Kosovës”.

Kujtojmë që Spanja është njëra prej tri kombëtareve në grupin e dardanëve, bashkë me Greqinë dhe Gjeorgjinë, që s’e njohin pavarësinë e Kosovës.

Për më tepër Spanja është kundërshtar i zëshëm i pavarësisë se shtetit tonë, kryesisht për shkak të Katalunjës, rajonit të vet verilindor, e cila kishte votuar unanimisht në një referendum në vitin 2017 për t’u pavarësuar nga Spanja.

Polemikat ndërmjet dy shteteve, nisën kur Federata Spanjolle e Futbollit, i ‘u referua Kosovës si “territor i Kosovës” dhe mediat spanjolle shkurtjen që kjo ndeshje do të luhet pa himn dhe flamur.

Por, lidhur me këtë gjë, Federata e Futbollit të Kosovës reagoi duke thënë se ndeshja nuk do të luhej nëse nuk respektohen simbolet shtetërore.

Andaj, pas një bisede mes krerëve të dy federatave dhe UEFA-s, Spanja u detyrua të pranojë që ndeshja të zhvillohet në bazë të rregullave të UEFA-s e FIFA-s.

Gjithashtu, presidenti i FFK-së, Agim Ademi, të martën e paralajmëroi Spanjën se do ta tërheqë ekipin e Kosovës nga fusha, nëse nuk respektohen simbolet e shtetit të Kosovës të mërkurën mbrëma.

Kujtojmë që Spanja dhe Kosova do të përballen sonte (e mërkurë) në orën 20:45, në stadiumin “La Cartuja” në Sevillë, në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin Botëror “Katar 2022”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore