Himarjotët drejt qendrave të votimit, zgjedhin të parin e tyre

Brixhilda Xhuraj
04.08.2024 7:00
Loading Icons...

Odiseja e qytetarëve të Himarës për të pasur një kryetar bashkie që nuk është në burg, apo i komanduar po merr fund.

Këtë të diel të 4 gushtit himarjotët do t’u drejtohen qendrave të votimit për të zgjedhur qytetarin e parë.

Në garë për postin janë Vangjel Tavo nga ana e mazhorancës (nën siglën e Partisë Socialiste) dhe Petro Gjikuria nga ana e opozitës (nën siglën e Bashkë Fitojmë).

23 mijë e 74 qytetarë kanë të drejtën e votës, të cilat do të hidhen në 36 qendrat e votimit të hapura prej orës 07:00 dhe që do të mbyllen në orën 19:00.

Ashtu siç KQZ ka bërë me dije, do të aplikohet vetëm identifikimi elektronik dhe qendrat e votimit do të jenë të monitoruara me kamera.

Një bashki në konflikt

Në zgjedhjet e fundit lokale të mbajtura në 2023-shin, kandidati fitues Alfred Beleri u arrestua 48 orë para votimit, duke u bërë kandidati i vetëm në historinë e zgjedhjeve shqiptare që zgjidhet kryetar në burg.

Më 12 maj Beleri përfundoi në pranga pasi u akuzua për korrupsion zgjedhor, duke u faktuar se ai kishte kryer aktin e blerjes së votës.

Teksa Beleri ndodhej në burg, kryetar i bashkisë mbeti ai aktual (humbësi i zgjedhjeve) Jorgo Goro.

Por burgu nuk i ndahet bashkisë së Himarës.

Ishte radha e Jorgo Goros për t’u arrestuar. Ai u prangos më 23 mars të këtij viti – i akuzuar nga vetë Beleri për tjetërsim votash.

Fill pas kësaj, mazhoranca socialiste emëroi dy kryetarë të tjerë të komanduar.

E para ishte Blerina Bala, e cila dha dorëheqjen më 5 qershor, për arsye – sipas saj – personale.

Më pas kryetar i komanduar u vendos Arqile Bollano, i cili aktualisht ndodhet në një proces hetimi për korrupsion nga SPAK.

Ishte dënimi i Fredi Belerit me dy vite burg nga Apeli i GJKKO-së ai i cili i hapi rrugë zgjidhjes së ngërçit në Bashkinë e Himarës.

Kjo pasi u bë e mundur heqja e mandatit si kryebashkiak nga ana e KQZ-së. Beleri aktualisht është deputet në Parlamentin Evropian në emër të partisë “Demokracisë së Re” në Greqi.

Jo vetëm zgjedhje

Instituti i Studimeve Politike (ISP) ka realizuar një raport për zgjedhjet vendore në Himarë, ku thekson se kjo bashki është kthyer në një “patate të nxehtë” për shkak të çështjes Beleri, por pretendon se oligarkët dhe zyrtarët kryesorë kanë interesa për investime në turizëm.

“Kjo bashki nuk zë një pozicion të rëndësishëm në hierarkinë dhe strukturën e pushtetit vendor në Shqipëri, por për shkak të pretendimeve dhe debatit politik mes Shqipërisë dhe Greqisë, si dhe interesit strategjik të disa prej oligarkëve dhe zyrtarëve kryesorë në vend për investimet turistike, bashkia ka marrë një vlerë të veçantë dhe zhvillimet atje kanë një interes të dyfishtë”.

Referuar të dhënave të përpunuara nga ISP, që nga viti 2000, zgjedhjet atje kanë qenë kryesisht produkt i marrëdhënieve politike mes PS-së dhe PD-së.

Në vitin 2000 dy partitë u bashkuan kundër kandidatit Bollano, një figurë ekstremiste vendase duke e mposhtur atë me fitore dërrmuese.

Por në vitin 2003 dhe 2007 i njëjti kandidat, Bollano, tashmë me mbështetjen e PS-së dhe më pas të PD-së, siguroi tre mandate radhazi, i fundit (2019) pa kandidatë rivalë.

Të katër drejtuesit e viteve 2000-2024 (Mato, Bollano, Goro dhe Beleri) janë arrestuar, hetuar apo dënuar për vepra të ndryshme penale (korrupsion apo vepra të tjera penale), një numër rekord për drejtimin e një bashkie në Shqipëri.

Aktualisht, zgjedhjet janë mes dy blloqeve kryesore politike, me kandidatë të “sjellur”, Tavo nga Gjirokastra dhe Gjikuria nga SHBA.

Zgjedhjet e 4 gushtit, të vetmet prej disa dekadash në Shqipëri në pikun e sezonit turistik, kanë vlerë simbolike.

Kryesisht për të vënë në provë aftësinë e Shqipërisë për zgjedhje, interesin vendor për pjesëmarrje dhe pjekurinë e partive për rikthimin në normalitet të një prej bashkive më të rëndësishme për nga potenciali turistik.

Pavarësisht rezultatit, zgjedhjet nuk pritet t’i japin fund debatit dhe keqpërdorimeve, të cilat janë në interes të partive – të vazhdojnë të paktën deri pas zgjedhjeve parlamentare të vitit 2025.

Të fundit

Aktuale