Lajme

Hill: Zbatimi i marrëveshjes së Ohrit është më i rëndësishëm se nënshkrimi


“Marrëveshja e arritur mes Serbisë dhe Kosovës në Ohër të Maqedonisë Veriore është ligjërisht e detyrueshme dhe pa nënshkrim”, tha për agjencinë serbe të lajmeve FoNet ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Beograd, Christopher Hill.

Ai ka theksuar se një nga elementët kyç të marrëveshjes është se detyrimet e të dyja palëve janë pjesë e procesit të integrimit evropian.

Hill potencoi se është bërë e qartë se formimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe “është çështje urgjente” dhe i rëndësishëm, duke kujtuar se ky është një obligim që është pranuar para 10 vitesh nga Kosova, Serbia dhe Bashkimi Evropian.

“Nga këndvështrimi i publikut serb është shumë e rëndësishme që organizatat ndërkombëtare si BE-ja, të kenë një marrëveshje të cilës duhet t’i përmbahen dhe të sigurojnë zbatimin e saj”, tha Hill.

“Unë kam qenë i përfshirë në shumë negociata ku nuk ka pasur asnjë nënshkrim në fund të procesit. E di që ka shumë diskutime për këtë, por nuk mendoj se ka shumë rëndësi. Pyetja e vërtetë është të vazhdohet me zbatimin dhe kjo do të jetë interesante të shihet në javët dhe muajt e ardhshëm”, parashikoi Hill.

I pyetur për deklaratën e presidentit serb Aleksandër Vuçiç, se do të zbatojë aneksin e propozimit evropian deri në “vija të kuqe”, Hill sqaroi se “në vend që të flasim për “vijat e kuqe”, duhet të fokusohemi në faktin se ai ka qenë shumë i qartë me BE-në se çfarë mund të bëjë, si dhe kur, gjë që mendoj se është mirë”.

“Mendoj se duhet bërë edhe nga ana e Kosovës”, tha Hill.

Në takimin e mbajtur më 18 mars në Ohër, Serbia dhe Kosova ranë dakord për Aneksin për zbatimin e Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Gjithashtu, u ra dakord që këto dokumente të bëhen pjesë integrale e procesit të anëtarësimit të Serbisë dhe Kosovës në Bashkimin Evropian.

Megjithatë, presidenti serb Aleksandër Vuçiç dhe kryeministri i Kosovës Albin Kurti nuk nënshkruan asnjë dokument.

Pavarësisht kësaj, ndërmjetësit evropianë presin që palët të zbatojnë gjithçka për të cilën liderët janë marr vesh.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore