Lajme

Hill përsëri flet për Ballkanin e Hapur, kësaj here e fton Kosovën që t’i bashkohet


Chritopher Hill

Për ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Christopher Hill, Kosova duhet të jetë pjesë e iniciativës Ballkani i Hapur.

Pasi që sipas tij një gjë e tillë do të ndihmonte Kosovën që të jetë e njohur ndërkombëtarisht.

“Ata duhet të jenë pjesë e kësaj nisme. Ajo i ka dyert e hapura dhe do të ishte në interesin e vetë Kosovës, sidomos për përpjekjet e saj për të qenë e njohur ndërkombëtarisht, për të pasur më shumë vende që e njohin, por edhe për të parë progresin që ajo ka bërë”, ka thënë ai në një deklaratë për “EuroNews Albania”

Sipas Hillit, Ballkani i Hapur është një nga nismat më të mira që po ndodh në rajon.

“Mendoj se kjo është një nismë ku Kosova duhet të bëjë pjesë patjetër, pasi ajo nuk do të ndalet pa Kosovën që vazhdon të ecë përpara”, shton ai.

Për Hill, marrëveshja në mes të Kosovës dhe Serbisë për letrat hyrje-dalje është “diçka” dhe se sipas tij Prishtina dhe Beogradi duhet të bëjnë shumë më shumë se kaq.

“Mendoj se është diçka, por ka ende shumë punë për të bërë. Janë shumë çështje thelbësore që kërkojnë zgjidhje. Njëra prej tyre është ajo e serbëve të Kosovës. Ata duhet të besojnë se janë të mirëpritur dhe se do të ndihen mirë në Kosovë. Por ka edhe çështje të tjera që duhet të zgjidhen në kuadër të procesit të normalizimit të marrëdhënieve”, ka thënë Hilli.

Ditëve të fundit deklaratat e përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për iniciativën Ballkani i Hapur, janë shpeshtuar.

Hill në paraqitjen e tij të fundit në media ka folur lidhur me këtë iniciativë.

Sipas diplomatit veteran, Ballkani i Hapur është një ide e mirë për vendet pjesëmarrëse që të diskutojnë dhe zgjidhin vetë çështjet e tyre.

Për të Ballkani i Hapur është një zhvillim shumë interesant në rajon.

“Është ideja e vendeve që të takohen dhe të diskutojnë tema të ndryshe, të përpiqen t’i zgjidhin vetë problemet. Më pëlqen veçanërisht që Ballkani i Hapur është bërë pikërisht në Ballkan”, ka deklaruar Hill.

Në anën tjetër për të njëjtën çështje ka folur edhe i deleguari special i SHBA-ve për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

Sipas tij e vetmja përgjigje për krizën e ardhshme ekonomike në Ballkanin Perëndimor është integrimi ekonomik i rajonit dhe se ai mbështet çdo iniciativë të këtij lloji, përfshirë edhe nismën “Ballkani i Hapur”.

“Nuk kemi nevojë për një strategji të re integrimi. Duhet të investojmë dy herë më shumë energji në zbatimin e strategjisë që kemi tani”, pati deklaruar Escobar në panelin e Forumit Strategjik të Bled në Slloveni, i cili mbledh së bashku liderët e rajonit dhe vendeve të tjera evropiane.

SHBA-të mbështesin çdo iniciativë përfshirë Ballkanin e Hapur, thotë Escobar

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore