Kosova

Hill për të dytën ditë me radhë lavdëron Ballkanin e Hapur: Zhvillim shumë interesant për rajonin


Christopher Hill

Ditëve të fundit deklaratat e përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për iniciativën Ballkani i Hapur, janë shpeshtuar.

Ambasadori i SHBA-ve në Serbi, Christopher Hill, për të dytën ditë me radhë ka folur lidhur me këtë iniciativë. Sipas diplomatit veteran, Ballkani i Hapur është një ide e mirë për vendet pjesëmarrëse që të diskutojnë dhe zgjidhin vetë çështjet e tyre.

Deklarata e tij ka ardhur në Panairin Ndërkombëtar të Verës që po mbahet në Beograd këtë të enjte në kuadër të iniciativës rajonale të Ballkanit të Hapur.

Për të Ballkani i Hapur është një zhvillim shumë interesant në rajon.

“Është ideja e vendeve që të takohen dhe të diskutojnë tema të ndryshe, të përpiqen t’i zgjidhin vetë problemet. Më pëlqen veçanërisht që Ballkani i Hapur është bërë pikërisht në Ballkan”, ka deklaruar Hill.

I pyetur nëse kësaj nisme duhet t’i bashkohen edhe vendet e tjera të rajonit, ai tha se mendon se nisma është e “hapur”, siç thotë edhe emri, që do të thotë se duhet të jetë në dispozicion edhe për vendet e tjera që duan t’i bashkohen.

“Atyre u takon, dhe ky është thelbi i Ballkanit të Hapur, se a duan të hyjnë, se sa duan të marrin nga menyja, nëse duan diçka ‘a la carte’ nga ato ide, është një ide freskuese”.

Ndryshe një ditë më parë, Hill, si një nga njohësit më të mirë të zhvillimeve politike në rajon, ka deklaruar se Ballkani i Hapur, është një mjet efektiv për t’i afruar shtetet dhe jo për t’i ndarë ata.

Dhe mu për këtë arsye, Hill pati deklaruar se SHBA-të e mbështesin iniciativën në fjalë.

“Ka të bëjë me të vërtet për vendet e Ballkanit që kërkojnë mënyra për të bashkëpunuar më mirë. Mendoj se është një mjet shumë efektiv që vendet të përdorin kufijtë për t’i bashkuar, jo për t’i ndarë, kështu që Qeveria e SHBA-së dhe unë e mbështesim këtë”, ka thënë Hill, duke iu përgjigjur një pyetjeje që i është bërë përmes Twitter-it.

Në anën tjetër për të njëjtën çështje ka folur edhe i deleguari special i SHBA-ve për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

Sipas tij e vetmja përgjigje për krizën e ardhshme ekonomike në Ballkanin Perëndimor është integrimi ekonomik i rajonit dhe se ai mbështet çdo iniciativë të këtij lloji, përfshirë edhe nismën “Ballkani i Hapur”.

“Nuk kemi nevojë për një strategji të re integrimi. Duhet të investojmë dy herë më shumë energji në zbatimin e strategjisë që kemi tani”, pati deklaruar Escobar në panelin e Forumit Strategjik të Bled në Slloveni, i cili mbledh së bashku liderët e rajonit dhe vendeve të tjera evropiane.

Hill: Ballkani i Hapur është një mjet efektiv për t’i afruar shtete, e jo për t’i ndarë ata

SHBA-të mbështesin çdo iniciativë përfshirë Ballkanin e Hapur, thotë Escobar

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore