Lajme

Hill i prerë: Kurti ta kuptojë se Asociacioni duhet të jetë prioriteti absolut i tij


Christopher Hill

Vendimi i Qeverisë së Kosovës për konvertimin e targave ilegale në ato RKS, beson, Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Christopher Hill, në këtë fazë nuk kontribuon në zgjidhjen e ngërçit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Sipas diplomatit veteran, i cili është njohës i mirë i rrethanave politike në Ballkan, thekson në një intervistë për mediumin serb TV Insajder, se çështja ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duhet të fokusohet në tema më madhore, siç është ajo e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

“Pala kosovare po përpiqet të shoh se sa hapësirë ka për ndërkombëtarizimin e çështjeve të saja. Ndërsa pala serbe dëshiron të shohë se cilat janë të drejtat dhe e ardhmja e tyre kolektive në Kosovë. Ne duhet të merremi me këtë. Amerikanët dhe evropianët i thanë Kurtit të zgjidhë çështjen e të drejtave kolektive të serbëve”, ka thënë Hill.

Hill më tej është shprehur optimist se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kuptuar se “çështja e së ardhmes së serbëve në Kosovë duhet të jetë prioritet absolut i tij”.

Ambasdori veteran ka folur edhe për propozimin franko-gjerman, i cili së fundmi u quajt si propozim i BE-së i mbështetur nga Gjermania e Franca, e të cilin Albanian Post e kishte publikuar pjesërisht më 18 shtator, e tërësisht më 12 nëntor.

“Nëse më pyesni nëse amerikanët do të dëshironin që të dy vendet të njihnin njëri-tjetrin, sigurisht që po. Ne duhet të jemi të sinqertë dhe të qartë, shumë gjëra duhet të zgjidhen përpara se të arrijmë në atë pikë duke filluar me një qasje më të normalizuar”, ka shtuar ai.

Hill më tej ka folur edhe për raportet ndërmjet Serbisë dhe Rusisë, ku ka theksuar faktin se afërsia e Beogradit me Moskën, po i bën dëm këtij të parit.

“Nuk mund të thuhet se Rusia po luan një rol pozitiv në raport me Kosovën dhe se po ndihmon Serbinë në këtë aspekt”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore