Lajme

Hill: Ballkani i Hapur është një mjet efektiv për t’i afruar shtete, e jo për t’i ndarë ata


Christopher Hill

Për Ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Serbi, Christopher Hill, iniciativa e Ballkanit të Hapur është një mjet efektiv për t’i afruar shtetet dhe jo për t’i ndarë ata.

Dhe mu për këtë arsye, ambasadori veteran amerikan, ka bërë të ditur se përpos tij edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës e mbështesin iniciativën në fjalë.

Një fakt tjetër shumë i rëndësishëm gjithë në këtë mes sipas Hill, është se ideja për Ballkanin e Hapur ka ardhur nga vetë shtetet anëtare të kësaj iniciative dhe nuk është imponuar nga jashtë apo siç e ka quajtur ai “qeveri të huaja”.

“Ka të bëjë me të vërtet për vendet e Ballkanit që kërkojnë mënyra për të bashkëpunuar më mirë. Mendoj se është një mjet shumë efektiv që vendet të përdorin kufijtë për t’i bashkuar, jo për t’i ndarë, kështu që Qeveria e SHBA-së dhe unë e mbështesim këtë”, ka thënë Hill, duke iu përgjigjur një pyetjeje që i është bërë përmes Twitter-it.

Sipas top-diplomatit amerikan, Ballkani i Hapur përpos që i ndihmon vendet anëtare të arrijnë marrëveshje në çështje të ndryshme është shembull i mirë i metode të bashkëpunimit.

“E ardhmja e vendeve të Ballkanit të Hapur është në Bashkimin Evropian. Mendoj se Ballkani i Hapur do të ndihmojë BE-në dhe do të sjellë zgjedhje, jo probleme”, ka shtuar Hill.

Ndryshe një ditë më parë për të njëjtën çështje ka folur edhe i deleguari special i SHBA-ve për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

Sipas tij e vetmja përgjigje për krizën e ardhshme ekonomike në Ballkanin Perëndimor është integrimi ekonomik i rajonit dhe se ai mbështet çdo iniciativë të këtij lloji, përfshirë edhe nismën “Ballkani i Hapur”.

“Nuk kemi nevojë për një strategji të re integrimi. Duhet të investojmë dy herë më shumë energji në zbatimin e strategjisë që kemi tani”, pati deklaruar Escobar në panelin e Forumit Strategjik të Bled në Slloveni, i cili mbledh së bashku liderët e rajonit dhe vendeve të tjera evropiane.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore