Shqipëria

Hidrocentralet – edhe – si platformë për energjinë diellore


Këshilli i Ministrave në Shqipëri ka miratuar instalimin dhe shfrytëzimin e një impianti fotovoltaik në digën e hidrocentralit të Vaut të Dejës.

Qeveria shqiptare ka dhënë afatin e miratimit të ndërtimit, i cili është 48 muaj. Korporata Elektroenergjetike Shqiptare (KESH), do të ketë 24 muaj kohë për ndërtimin dhe komisionimin e panelit diellor nga data e marrjes së lejes së ndërtimit.

Për Albanian Post, Kozeta Jana, zëdhënësja e KESH-it, thotë që “zhvillimi i këtij projekti po realizohet në kuadër të objektivave të përcaktuara në Strategjinë Kombëtare të Energjisë 2018-2030”.

Gjithashtu, kryetari i Bashkisë së Vaut të Dejës, Mark Babani, për Albanian Post është shprehur se qëllimi kryesor për ndërtimin e këtij impianti është diversifikimi i energjisë së rinovueshme.

“Përveç përfitimit të energjisë me anë të ujit, tani në hidrocentralin e Vaut të Dejës po ndërtohen edhe panele diellore dhe një platformë lundruese fotovoltaike më vonë. E gjithë kjo për të diversifikuar përftimin e energjisë së rinovueshme”.

Energjia e rinovueshme është “më pak ndotëse”, është shprehur kryebashkiaku dhe “ka përparësi në Strategjinë Kombëtare të Energjisë”.

Zëdhënësja Jana potencon se ky lloj impianti do të ndikojë në përfitimin e një “eksperience të re për KESH-in”, në ndërtimin dhe menaxhimin e burimeve të rinovueshme të prodhimit të energjisë elektrike.

“Çka është më e rëndësishmja”, thotë ajo, “do të krijojë dhe vende të reja pune”.

Pjesa teknike e impiantit

Benet Beci, ish-drejtori i KESH-it dhe njëkohësisht deputeti i zgjedhur i Qarkut të Shkodrës për Partinë Socialiste, thotë për Albanian Post se ky projekt i ndërtimit të paneleve diellore në digën e një hidrocentrali është ndër të parët në botë.

“Fati ishte në anën tonë”, shton ai, “pasi diga ka animin (këndin) e duhur nga jugu, që është pozicioni më i përshtatshëm për vendosjen e paneleve diellore dhe për të marrë rrezatimin maksimal”.

Më tej, Beci thotë se “energjia diellore është shumë komplementare me energjinë e prodhuar nga uji, pasi në stinën e thatë rrezatimi diellor është më i larti. Duke qenë një investim pranë HEC-it, impianti ka një kosto më të ulët, pasi shfrytëzon afërsinë me nënstacionet, duke ulur koston e investimit të lidhjes në rrjet”.

Edhe pse është një tjetër burim i energjisë së rinovueshme në digën ekzistuese të një hidrocentrali, i cili po ashtu prodhon energji, si ish-drejtori, edhe zëdhënësja e KESH-it konfirmojnë që ndërtimi i këtij impianti nuk do të ndikojë në uljen e çmimit të energjisë për banorët e zonës.

“Energjia e prodhuar injektohet në rrjetin kombëtar, pra nuk është e lidhur drejtpërdrejt me konsumin e banorëve të zonës dhe nuk menaxhohet nga KESH, por nga FTL, pjesë e grupit të OSHEE”, sqaron Beci.

“Lidhur me çmimin e energjisë elektrike, është një objekt, i cili është jashtë kompetencave të KESH sh.a.”, përgjigjet Jana.

Albanian Post mëson se kapaciteti i instaluar i këtij impianti do të jetë 5.14MWp dhe prodhimi mesatar vjetor është parashikuar të jetë rreth 7GWh.

Projekte të tjera të tilla në Shqipëri

“Rëndësia e këtij projekti është se mund të përdoret si pilot për në diga të tjera, pasi shfrytëzon një sipërfaqe të madhe, e cila është e pashfrytëzueshme për aktivitete të tjera”, sqaron Beci, i cili tregon se KESH, bazuar në këtë projekt, ka në plan të investojë dhe në diga të tjera, apo sipërfaqe ujore te HEC-et e veta, “dhe pse jo, më vonë edhe në hapësira të tjera”.

Të njëjtin konfirmim e jep edhe zëdhënësja e korporatës.

KESH po planifikon të ndërtojë një impiant fotovoltaik lundrues me fuqi më të madhe se ai i digës.

“Impianti do të jetë në ujë, pranë digës së Qyrsaqit dhe përfiton gjithashtu nga afërsia me HEC-in për uljen e kostos se investimit”.

Por, projekti i sipërpërmendur nga Beci nuk është i pari i sojit të tij në Shqipëri.

Më 5 maj 2021, kompania diellore lundruese, Ocean Sun, përfundoi së bashku me kompaninë Stakraft, fazën e parë të implementimit të një platforme lundruese mbi liqenin e Banjës në Elbasan, për prodhimin e energjisë diellore.

Më 3 qershor, platforma filloi zyrtarisht operimin tregtar. Në një fazë të dytë, pas testeve fillestare, pritej të vendoseshin edhe tri platforma të tjera të tilla.

Por, disa javë pas inspektimit të ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, struktura është zhytur tërësisht nën ujë.

A do të kenë të njëjtin fat edhe impiantet e vendosura nga KESH-i?

Beci pohon se kjo lloj teknologjie është e re, prandaj thotë ai, KESH-i ka bashkëpunuar me konsulentë të specializuar ndërkombëtarë dhe me BERZH (Bankën Evropiane për Rindërtim e Zhvillim), e cila ka financuar disa impiante të tilla nëpër botë.

“BERZH do të sigurojë një kontraktor dhe një supervizor të specializuar, kështu që mund të jemi të sigurt që impianti që do të ndërtohet në Vaun e Dejës do të jetë sipas standardeve më të fundit ndërkombëtare sot në botë”.

Ish-drejtori i KESH-it shpjegoi edhe mbi incidentin e ndodhur në Banjë, ku tha se teknologjia e përdorur atje është pak e ndryshme, më inovative dhe më eksperimentale dhe, si e tillë “edhe ngjarje si kjo janë të pranueshme dhe shërbejnë për të zhvilluar më tej teknologjitë e reja”.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, më herët, ka deklaruar se Shqipëria do të transformohet në eksportuese neto të energjisë elektrike dhe njëkohësisht eksportuese të një energjie të gjelbër të rinovueshme.

“Ky është një tjetër hap i rëndësishëm në rrugën drejt horizontit të ‘Shqipërisë 2030’ në përmbushjen për ta kthyer Shqipërinë në eksportuese neto të energjisë elektrike dhe njëkohësisht eksportuese të një energjie të gjelbër të rinovueshme”, tha ai gjatë ceremonisë së hapjes së ankandit për ngritjen e parqeve eolike.

Ky ka qenë një nga premtimet e kryeministrit gjatë fushatës zgjedhore të 2021-shit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore