Teknologji

Hetim ndaj Visa-s për sjellje antikonkurruese


Departamenti i Drejtësisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës po heton nëse kompania e shërbimeve financiare, Visa, po përfshihet në praktika antikonkurruese në tregun e kartave të debitit.

E përditshmja, The Wall Street Journal, zbulon se divizioni antitrust i departamentit ka grumbulluar informacion duke pyetur nëse Visa që është rrjeti më i madh i kartave amerikane, ka kufizuar mundësitë e tregtarëve për të drejtuar transaksione me karta debiti përmes rrjeteve të kartave që janë më pak të kushtueshme.

Prej kësaj dalin në pah tarifat e rrjetit, të cilat janë të padukshme për konsumatorët, por fitimprurëse për kompanitë e kartave. Ato janë edhe ngarkesë për tregtarët pasi tarifat shpesh u kalojnë klientëve në formë të çmimeve të larta.

Kjo vjen pas rëndësisë që i kanë dhënë zbuluesit antritrust të Departamentit të Drejtësisë për vëzhgimin e aktiviteteve të tregut digjital, përfshirë sektorin financiar dhe hetimin e praktikave të biznesit të firmave dominuese.

Lidhur me hetimin e ri, sipas burimeve të WSJ, departamenti po shqyrton nëse praktikat e Visa-s po lejojnë kompaninë të mbajë një pjesë dominuese të tregut në mënyrë të paligjshme.

Nga ana tjetër, një nga zëdhënësit e Departamentit të Drejtësisë nuk ka pranuar të komentojë për çështjen.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore