Jetesë & Stil

Heshtja sundon korridoreve të qendrave tregtare


Zbrazëtia ka përshkuar korridoret e qendrave tregtare në Tiranë. Hapësirat e mëdha të këtyre vendeve bien ndesh me numrin e pakët të blerësve.

Pas periudhës së festave të fundvitit, ngjan e frikshme se si këto biznese u kthyen në boshllëk.

Në aq pak qytetarë që syri të shihte, drejtimi i tyre ishte drejt veshjeve të firmave me çmime të lira. Ky fakt, sipas një vëzhgimi të kryer nga Albanian Post, në qendrat tregtare në Tiranë.

“Nuk kemi lekë për më shumë, edhe këto të shtrenjta janë për ne”, u shpreh një zonjë për Albanian Post.

Këto dyqane frekuentohen më shumë për shkak të çmimit më të lirë krahasuar me markat e tjera.

Njëra prej shitësve u shpreh se “për shkak të çmimeve të lira njerëzit vijojnë të vijnë në dyqanet tona, ndonëse cilësia nuk është e lartë”.

“Fluksi më i madh i blerësve është kryesisht përpara fillimit të vitit shkollor, gjatë festave dhe gjatë uljeve sezonale tri herë në vit”, shtoi ajo.

Po dyqanet “firmato”?

Dyqanet “firmato”, që kanë mallra më të shtrenjta, ngjajnë si të ngrirë. Duket sikur shitëset janë bashkuar me manekinët, që qëndrojnë në dyqan vetëm për zbukurim. Reklamën “ULJE” e lexon në secilin xham të tyre, por etiketa vazhdon të zhgënjejë sapo sheh çmimin e saj.

Gjatë vëzhgimit, vetëm një person ka blerë veshje në dyqanin e Antony Morato.

E njëjta gjë ndodh dhe në dyqanin US Polo, ku një kombinim veshjesh kap edhe vlerën e 500 euro-ve.

Dyqanet e markave të njohura sportive frekuentohen më shumë, pavarësisht çmimit të lartë. Në këto biznese, blerësit drejtohen kryesisht gjatë ndërrimit të sezoneve. Kjo, për shkak të uljes së çmimit të produkteve.

Ndërsa dyqanet me veshje të brendshme, frekuentohen kryesisht nga gjinia femërore. Uljet e sezonit kanë tërhequr vëmendjen e këtyre klientëve, ku pjesa më e madhe e tyre kishte kryer edhe blerje.

 
Situata aktuale e blerjeve

Përgjithësisht qendrat ishin pak të frekuentuara. Kjo përkthehet në më pak blerës.

Problematika që haset, është se shumica e personave kanë kaluar te blerjet online. Sipas njërës prej shitësve, kjo formë ka “ndikuar në uljen e numrit të blerësve dy vitet e fundit”.

Edhe pandemia po ashtu, është një faktor tjetër që ka prekur tregtinë. Kjo sepse ekonomia familjare ka pësuar rënie. Para disa rrobave të bukura, ngjan mjaft e logjikshme t’i kenë kushtuar më shumë rëndësi shportës së produkteve të konsumit të përditshëm.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore