Lajme

Ministri i Jashtëm gjerman, kritika Mbretërisë së Bashkuar për planet e zgjerimit të arsenalit bërthamor


Ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Heiko Maas, të enjten e 18 marsit, kritikoi planet e Mbretërisë së Bashkuar për të rritur arsenalin e saj bërthamor.

“Ne nuk duam që arsenalet e armëve bërthamore të rriten. Nëse nuk doni që kjo të ndodhë, ju s’duhet t’i zgjeroni ato”.

Kujtojmë se kryeministri britanik, Boris Johnson, të martën tha se qeveria e tij, për herë të parë në më shumë se 30 vjet, do të rrisë rezervat e saj të kokave bërthamore me më shumë se 40 për qind. Kjo, për të rritur sigurinë në një mjedis global të rrezikshëm.

Lidhur me këtë çështje, Maas ka thënë se qeveria gjermane është e mendimit se tashmë ka shumë koka bërthamore në botë.

“Kjo është arsyeja pse ne nuk duam që arsenalet bërthamore të rriten”.

Në vijim, socialdemokrati ka thënë se e kaluara ka treguar se, nëse njëra palë ka më shumë armë bërthamore, pala tjetër do të përpiqet ta arrijë.

“Kjo është gara katastrofike e armëve në të cilën kemi qenë kundër për dekada”.

Britania e Madhe vendos raketat e saj Trident në katër nëndetëse, njëra prej të cilave lundron vazhdimisht në det, në mënyrë që të ruajë aftësinë e kundërsulmit në rast sulmi bërthamor. Vendimi do të rrisë numrin e raketave në rezervat bërthamore të Mbretërisë së Bashkuar me më shumë se 40%, nga 180 në 260 koka.

Maas theksoi rëndësinë e traktateve ndërkombëtare në atë drejtim, duke thënë se njerëzit duhet të jenë në gjendje të mbështeten tek to, duke kufizuar arsenalet dhe ndaluar zgjerimin e tyre.

Ai e pranoi se një situatë e tillë mund të funksiononte vetëm nëse të gjitha palët ndiqnin rregullat.

“Pa rregulla ndërkombëtare, ne gjithmonë do të shohim që vendet individuale ndihen sikur duhet të marrin sisteme të reja armësh për parandalimin e konflikteve të ndryshme. Fatkeqësisht, kjo është situata në të cilën gjendemi aktualisht”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore