Kosova

Haziri: Presidentja ta ushtrojë detyrën kushtetuese për ulje të tensioneve në Veri


Ish kryetari i Gjilanit Lutfi Haziri dhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, ka kërkuar nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani që ta ushtrojë detyrën e saj kushtetuese për të kontribuar në uljen e tensioneve në Veri.

Këtë kërkesë Haziri e ka bërë përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’.

“Presidentja ta ushtrojë detyrën e saj kushtetuese për uljen e tensioneve në veriun e Kosovës. Presidentët historikisht në Kosovë kanë pasur rolë unifikuese, duke dhënë kontributin e tyre në procese të ndryshme siç ishin protestat e dhunshme të vitit 2015, në dialogun e Vjenës e procese të tjera”.

Ai tutje ka sqaruar se presidentja duhet të luaj një rol shumë të rëndësishëm edhe në raport me Bashkimin Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

“Ata kanë luajtur rol kyç në raportet e shtetit tonë me shtetet e BE-së, e sidomos edhe me ShBA-në”, ka shkruar Haziri.

Dita e gjashtë e protestave në Veri

Protestat e serbëve në Veri të Kosovës të cilët po kundërshtojnë ushtrimin e detyrës së kryetarëve të sapo zgjedhur nga objektet komunale ka hyrë në ditën e gjashtë.

Qindra protestues serbë janë para këtë të premte në orët e hershme të mëngjesit të së premtes në Komunën e Zveçanit.

Ndërsa pjesëtarët e misionit paqeruajtës të NATO-s, KFOR, kanë marrë pozicionet e tyre në këtë komunë.

Protestuesve në Zveçan u janë bashkuar edhe krerët e Listës Serbe.

Protestuesit kanë nxjerrë disa pankarta me mbishkrime si: “Nuk do të na dëboni nga shtëpitë tona”, “Duam paqe e jo lotsjellës dhe shok-bomba” e “Ne nuk jemi kriminelë, vetëm duam lirinë tonë”.

Protesta në Veri.

Serbët janë grumbulluar edhe në Komunën e Leposaviqit.

Ndryshe Kosova është vënë nën presion diplomatik për të shtensionuar situatën.

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, menjëherë pas takimit joformal 10-minutësh ndërmjet presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani dhe homologut të saj serb, Aleksandër Vuçiç, ka thënë se Franca dhe Gjermania, u kanë kërkuar autoriteteve të Kosovës dhe Serbisë që të mundësojnë mbajtjen e zgjedhjeve të reja në komunat veriore të Kosovës të banuara me shumicë serbe.

Ndërsa Borrell, i cili ishte pjesë e këtij takimi, nëpërmjet një cicërime në llogarinë e tij në “Tëitter”, do të tregonte tri kërkesat që ia kanë paraqitur të enjten Franca dhe Gjermania presidentes Osmani dhe të cilat, autoritetet kosovare duhet t’i përmbushin menjëherë ngase në të kundërtën “do të ketë pasoja serioze” për shtetin më të ri në Evropë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore