Lajme

Haziri për Albanian Post: LDK-ja s’ka opsion tjetër pos opozitës


Lutfi Haziri në intervistë për Albanian Post

Çfarëdo oferte që t’i bëhet Lidhjes Demokratike të Kosovës për të marrë pjesë në formimin e qeverisë së ardhshme, LDK do ta refuzojë.

Për këtë është i bindur nënkryetari në dorëheqje i LDK-së, Lutfi Haziri, i cili, në një intervistë për Albanian Post, thotë se rezultati i dobët në zgjedhjet e fundit, obligon qëndrim në opozitë dhe reflektim për rikthim.

“LDK-ja nuk ka opsion tjetër në Kuvend pos rolit të saj si opozitë edhe angazhimeve të brendshme për t’i dhënë zgjidhje problemeve politike si parti”, deklaron Haziri për Albanian Post.

Primare për Hazirin janë zgjedhjet brenda partisë, pas dorëheqjes së kryetarit Isa Mustafa dhe gjithë kryesisë, për shkak të rezultateve të dobëta që LDK-në e pozicionuan në vendin e tretë me 13.08 për qind.

“LDK-ja nuk ka nevojë në këtë kohë të mendojë për opsion qeverisës. Ne duhet t’i kthemi çështjeve të brendshme të LDK-së, duhet të merremi me LDK-në e ta rikthejmë besimin edhe shpresën te njerëzit dhe të punojmë shumë të bëhemi gati për zgjedhjet lokale”.

Sipas Hazirit, personi që duhet t’u prijë këtyre ndryshimeve të domosdoshme në LDK, është kryetari i ri, i cili pritet të zgjidhet shpejt.

“Në anën tjetër unë besoj që kryetari i ri i LDK-së do të jetë autoriteti i vetmi cili do të merr përgjegjësi të plotë karshi grupit parlamentar dhe kryesisë së re e cila pritet të dal në mënyrë që të përcakton politika të LDK-së”, shtoi Haziri për Albanian Post.

Ndërkohë, rezultatin e LDK-së në zgjedhjet të fundit Haziri e quan të tmerrshëm.

Ai nënvizon se janë befasuar pasi në zgjedhjet paraprake për vetëm 0.61 për qind nuk dolën të parët.

“Është një dallim shumë i madh, sepse po flasim për një rezultat që për 0.61 nuk arriti me dalë partia e parë dhe një rezultatet i cili është i tmerrshëm në krahasim me pritjet”, përfundoi Haziri.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore