Lajme

Haziri: Këshilla e SHBA-së për të mos udhëtuar, është lloj sanksionimi


Këshilla e ambasadorit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës Jeffrey Hovenier, për ministren e drejtësisë Albulena Haxhiu dhe disa kryetarë të komunave që udhëhiqen Lëvizja Vetëvendosje se nuk është koha e përshtatshme për të udhëtuar në SHBA, sipas nënkryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lufti Hazirit, “është një lloj sanksionimi”.

“Këshilla’ e mikut më të madh të shqiptarëve të Kosovës për të mos udhëtuar, është lloj sanksionimi. Kjo është fatale dhe alarmante”, ka shkruar Haziri në Facebook.

Madje, sipas ish-kryetarit të Gjilanit, SHBA tashmë i ka dhënë shenjat e para të rivlerësimit të raporteve me funksionarët e Kosovës.

Megjithatë, Haziri thekson se SHBA-ja do t’i ruaj përjetësisht marrëdhëniet me popullin e Kosovës, “por do t’i dëmtojë raportet me funksionarët kur e humbin udhën”.

Haxhiu: S’ma refuzuan SHBA-të vizën, u dakorduam bashkarisht që të mos shkoj

Ndërsa, më 9 nëntor, ministria e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e ka mohuar se i është refuzuar viza për udhëtim në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, siç u raportua nga disa mediume në Kosovë.

“Marrë parasysh situatën aktuale politike në vend, bashkërisht kemi konsideruar se duhet ta shtyjmë për një datë më të përshtatshme vizitën. Lajmet se më është refuzuar viza dhe lajmet tjera lidhur me vizitën, ndryshe nga ky shpjegim, nuk qëndrojnë pra janë të pavërteta”, ka shkruar Haxhiu në Facebook.

Ajo pati theksuar se vizitën në SHBA-a do ta realizojë, por “datat do t’ua kumtojmë me kohë”.

“Sot pasdite jam takuar me zyrtarë të lartë të Ambasadës së SHBA-ve në Kosovë. Ndër të tjera, diskutuam edhe rreth ftesës së tyre për vizitë në SHBA”.

Për këtë cështje është pyetur nga gazetarët edhe ambasadori i SHBA-së në Kosovës, Jeffrey Hovenier.

Ky i fundit tha se “nuk sheh ndonjë rrethanë” për diçka të tillë.

Megjithatë, shtoi ai, Kosova tani “është në krizë”.

“Jemi shumë të fokusuar në këtë krizë. Ne besojmë se kjo Qeveri është shumë e fokusuar në këtë krizë. Dhe kështu, kjo nuk është domosdoshmërisht koha më e përshtatshme që ministrat të udhëtojnë në SHBA për takime zyrtare, marrë parasysh krizat që duhet të trajtohen këtu. Këtë po ua komunikojmë zyrtarëve të ndryshëm në Qeveri”, tha Hovenier.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore