Lajme

Haxhiu: Vettingu dhe lufta ndaj krimit e korrupsioni janë prioritet


Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu

Ministrja e Drejtësisë (MD) e Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka marrë pjesë në një forum në Tiranë, të organizuar nga Tirana Connectivity Forum 2021, ku ka prezantuar prioritetet e MD-së, përkatësisht në reformën e sistemit të drejtësisë.

Ministrja Haxhiu në fjalën e saj duke legjitimuar ndërmarrjen e Qeverisë për reformën e sistemit të drejtësisë ka thënë se, ishte disponimi qytetarë ai që i ka dhënë mundësi kësaj qeverie ta bëjë reformën.

Ajo tutje ka folur edhe për zhvillimin ekonomik të Kosovës, i cili është “nevojë urgjente dhe si kusht i domosdoshëm drejt integrimit në BE”, qëllim ky afatgjatë i Kosovës.

Ministrja Haxhiu ka thënë se fokusi i MD-së është i përqendruar në katër prioritete:

“Reforma në drejtësi përmes implementimit të strategjisë për sundimin e ligjit dhe vettingun në sistemin e drejtësisë; Lufta ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit; Adresimi i dhunës në familje, dhunës ndaj grave, dhunës në baza gjinore si fenomene që e dëmtojnë zhvillimin e mbarë shoqërorë; Adresimi i krimeve të kryera gjatë luftës së fundit në Kosovë”, ka thënë ajo.

Sa i përket vettingut ajo ka thënë se  MD ka përfunduar Koncept-dokumentin “për zhvillimin e procesit të vettingut në sistemin gjyqësor dhe prokurorial i cili do të miratohet nga Qeveria” në ditët në vijim.

Vettingu është një proces me një rëndësi të veçantë për Kosovën, sepse sipas Haxhiut siguron “integritetin dhe profesionalizimin në institucionet e drejtësisë”.

Besimi i qytetarëve në sistemin e drejtësisë kthehet vetëm me anë të vettingut ka thënë Haxhiu.

“Ne kemi miratuar gjithashtu Ligjin për Gjykatën Komerciale, ligj ky i cili do të rrisë sigurinë juridike për bizneset vendore dhe investimet e huaja. Kjo Gjykatë do t’i shërbejë komunitetit të biznesit qoftë investimeve vendase apo të huaja si një adresë e sigurt dhe efikase për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve në aktivitetet biznesore”.

Forumi i organizuar në Tiranë ishte një mundësi për ti shkëmbyer përvojat e shteteve të rajonit tha Haxhiu.

“Le të punojmë shumë që t’i mbajmë të rinjtë e të rejat tona në vendet tona. T’i bëjmë ata ta duan vendin e tyre. Shteti i së drejtës nuk ka alternativë”, thuhet në postimin në rrjetin social Facebook të ministres Haxhiu.

Ministrja Haxhiu ishte në Tirana Connectivity Forum 2021 krahas Ministres së Drejtësisë së Republikës së Shqipërisë dhe Ministres së Drejtësisë së Maqedonisë së Veriut.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore