Kosova

Haxhiu: S’mund ta zhbëjmë Specialen, s’na lejon Kushtetuta


Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, theksoi se do të shihen të gjitha alternativat se çka mund të bëhet sa i përket “zhbërjes” së Gjykatës Speciale, por sipas saj “MD i ka dyert e mbyllura në çdo aspekt në Gjykatën Speciale përveçse kemi divizionin për mbrojtje juridike dhe financiare të personave që janë në Hagë dhe jemi duke kryer përgjegjësitë tona në raport me mbrojtjen”.

“Do të shohim edhe alternativa të tjera se çka mund të bëjmë në këtë drejtim, mirëpo unë nuk jam shumë optimiste që Kosova ka ndonjë mënyrë sepse na kanë mbyllur dyert me amendamentin në Kushtetutën e Kosovës”, tha Haxhiu për EO.

“Një nga subjektet kryesore në Kosovë është VV-ja që ka kundërshtuar themelimin e Gjykatës Speciale. Pikërisht për faktin se kemi konsideruar se Gjykata Speciale do të paraqesë një pasqyrë të shtrembëruar për luftën e drejtë në Kosovë”.

Objekti i Gjykatës Speciale

Haxhiu ka thënë se janë duke punuar në aspektin e draftimit të amendamenteve kushtetuese, për çështjen e vettingut në sistemin e drejtësisë.

“Jemi duke pritur edhe një opinion nga Komisioni i Venecias në raportin me koncept dokumentin por teksa anëtarët përgjegjës janë duke trajtuar çështjen e koncept dokumentit ne sapo t’i finalizojmë amendamentet do t’i procedojmë për opinion te Komisioni i Venecias, sepse është e rëndësishme të veprojmë në përputhej me standardet evropiane”.

“Dhe natyrisht na duhet mbështetje nga Kuvendi sepse amendamentet mund te votohen veç nëse kanë dy të tretat e deputetëve shqiptarë dhe në anën tjetër dy të tretat e komuniteteve që përfaqësojnë qytetarët jo shumicë.

Ajo potencoi se ka ftuar subjektet politike ne takime të ndara, por edhe të përbashkëta.

Haxhiu shtoi se kanë nisur punën sa i përket hartimit të Projektligjit për themelimin e Institutit pwr krime lufte ku do të dokumentohen të gjitha krimet që kanë ndodhur gjatë luftës në Kosovë.

“Prokuroria i ka duart e lira të veprojë në këtë drejtim për faktin se Serbia nuk i dorëzon kriminelët e luftës”.

“Është formuar grupi punues pas kalimit të koncept dokumentit në Qeveri për të pasur një pasqyrë të qartë të gjendjes në këtë drejtim. Grupi punues është duke u takuar për të diskutuar për këtë institut”.

“Po ashtu kemi shtuar kapacitet për Prokurorinë Speciale të prokurove që do merren me rastet e krimeve të luftës dhe strategjinë për drejtësi tranzicionale si dhe kemi eliminuar të metat që kanë qenë në Kodin e Procedurës Penale për gjykimin në mungesë të kriminelëve serb”.

Sipas saj, “Prokuroria i ka duart e lira të veprojë në këtë drejtim për faktin se Serbia nuk i dorëzon kriminelët e luftës. Mirëpo me legjislacionin tonë në mungesë mund të dënohen dhe pastaj të vuajnë dënimin për krimet që kanë bërë”.

E para e MD-së pohoi se Qeveria dëshiron që Kosova të jetë shtet i së drejtës, sepse çfarëdo kritike që i bëhet sistemit të drejtësisë ndodhin për shkak të skandaleve dhe me këtë rast krijohet barrikadim dhe akuza të pabaza.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore