Kosova

Haxhiu: Pushteti i VV-së pamundëson votimin e projektligjeve për çmimet medicinale dhe shëndetësi


Deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu.

Anëtarët e Komisionit për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, kanë akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje se qëllimshëm kanë munguar në mbledhjen e komisionit të premten.

Kjo me qëllim që pamundësohet shqyrtimi i Projektligjit për rregullimin e çmimit të produkteve medicinale.

Deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu, në konferencë për media deklaroi se qëllimshëm mazhoranca mungoi duke bërë që të dështojë kjo mbledhje për shkak të mungesës së kuorumit.

“Në muajin mars kemi propozuar nismën për projektligjin për çmimin e produkteve të barnave  dhe në vazhdimësi ky projektligj bashkë me atë tjetrin të iniciuar nga opozita në vazhdimësi janë prolonguar e nuk janë trajtuar nga pushteti. Në mbledhjen e fundit jemi dakorduar qe t’i trajtojmë këto dy projektligje”.

Deputeti i LDK-së, Armend Zemaj.

“Pushteti i VV-së pamundësuan kuorumin, që të pamundësohet votimi i këtyre dy projektligjeve, atë për çmimet medicinale dhe atë për shëndetësi”, tha Haxhiu.

Ndërkaq, ka përmendur edhe çmimet e barnave të cilat Haxhiu konsideron se janë me çmimin më të lartë të vendeve në rajon.

“Ju e dini qe aktualisht në Kosovë ka barna që çmimi në raport me vendet tjera është më i lartë, deri më 300, 400% më lartë se në vendet e rajonit. Përmes këtij projektligji çmimi i barnave do të jetë i njëjtë, e nuk do të ketë dallime prej një barnatore dhe një barnatore tjetër, ose vendeve referente”, tha ai.

Edhe deputeti nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj, tha se me muaj të tërë projektligjet po presin në sirtarë të Qeverisë së Kosovës.

“E patë sot papërgjegjësinë e mazhorancës është tregues i qartë që po e rëndon edhe sistemin shëndetësorë edhe jetën e pacientit. Ka tre muaj që Projektligjet janë në sirtarët e qeverisë me një qëllim të arsyeshëm edhe për avancimin”, tha Zemaj.

Megjithatë, ai u shpreh optimist që ekzekutivi të bëhet më i përgjegjshëm.

“Besojmë dhe shpresojmë që kjo papërgjegjësi do të përfundoj një ditë. Ditëve të fundit jemi përballur me një kolaps shëndetësor, dhe zëri i arsyes duhet të thirr të gjithë ata qe ia duan të mirën shëndetit publik”.

Ndryshe, me 10 nëntor të 2021 Qeveria e Kosovës kishte ndarë mbi 2 milionë euro shtesë për blerjen e barnave esenciale.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore