Lajme

Haxhiu: Procesi i Vettingut do të jetë i pavarur dhe i monitoruar nga BE-ja dhe SHBA-ja


Albulena Haxhiu dhe Adnan Rrustemi në diskutimin “Në pritje të Opinionit të Komisionit të Venecias për Koncept Dokumentin për Vetting”

Për ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, procesi i Vettingut, do të jetë i pavarur dhe do të monitorohet nga partnerët ndërkombëtarë si Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Haxhiu e cila ishte e ftuar në diskutimin e organizuar nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) dhe Komisioni për Legjislacion me temë “Në pritje të Opinionit të Komisionit të Venecias për Koncept Dokumentin për Vetting”, ka potencuar faktin se Vettingu ka qenë një prej zotimeve të Qeverisë së tyre dhe se sipas saj përmes kësaj procedure po synohet integriteti moral e profesional i Prokurorëve dhe Gjyqtarëve.

“Vettingu do të fillojë më strukturën më të lartë dhe brenda 5 vjetëve është theksuar se do të përfundojë. Tani besojmë që të gjitha çështjet janë adresuar dhe presim kontribut edhe nga akterë tjerë. Besoj që kemi vullnetin të angazhohemi që qytetarët të kenë respekt për figurën e gjyqtarit dhe prokurorit”, ka potencuar ajo.

Në anën tjetër kryetari i Komisionit për Legjislacion, Mandate dhe Imunitete, Adnan Rrustemi, ka nënvizuar faktin se çështja e Vettingut në gjyqësor është e domosdoshme dhe e pashmangshme.

“Tashmë jemi në pritje të opinionit të Komisionit të Venecias. Ne kemi qenë dëshmitarë të shumë dështimeve dhe konsiderojmë se zhvillimi i Vettingut do të mundësojë kurim të çështjeve aktuale. Procesi i Vettingut përkrahet nga qytetarët që duan drejtësi, dhe inkurajojmë Komisionin e Venecias që të na japin dritën e gjelbër për këtë çështje”, tha Rrustemi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore