Lajme

Haxhiu nuk dorëzohet: Me 10 mijë nënshkrime qytetarët mund ta rikthejnë Trustin në kuvend


Bekim Haxhiu, Deputet i PDK-së në Kuvendin e Kosovës

Vota kundër e deputetëve të mazhorancës të enjten në kuvend, ndaj projektligjit i cili i hapte rrugë tërheqjes së mjeteve të kursyera nga Trusti, nuk e ka zmbrapsur ideatorin e kësaj nisme, Bekim Hahxiun.

Iniciuesi i Projektligjit për tërheqjen e Trustit, deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu, ka thënë se qytetarët e kanë edhe një mundësi që ta riprocedojnë këtë nismë ligjore.

Nëse qytetarët arrijnë që të mbledhin 10 mijë nënshkrime, kjo nismë për tërheqjen e trustit mund të procedohet sërish në Kuvend.

“Me 10 mijë nënshkrime mund ta procedojnë në kuvend. I thashë kryeministrit se çfarë do të thuash nesër që këtë do ta sjellin qytetarët dhe cila do të jetë arsyeshmëria sepse s’do ta kesh më si objektiv opozitën por qytetarin”, është shprehur Haxhiu, në Klan Kosova.

Tutje, ai tha se kjo çështje u takon qytetarëve nëse dëshirojnë ta riprocedojnë këtë nismë ligjore, teksa shtoi se nëse ata (qytetarët) kanë alternativa tjera për të ushtruar presion mbi qeverinë dhe deputetët lë ta bëjnë.

Bekim Hahxiu ka deklaruar se pas seancës dhe votës kundër, ka marrë shumë mesazhe zhgënjyese teksa akuzoi qeverinë se s’po e ushtron funksionin e saj kushtetuese që të jetë edhe rregullator edhe menaxhues.

Tutje, ai tha se kryeministri i vendit, Albin Kurti, gjatë ditës sot e ka humbur kontrollin dhe s’dinte çfarë fliste.

“Në mungesë të argumenteve për atë se pse s’e mbështet kërkesën e qytetarëve, kaloi në një element tjetër që ta sulmoj iniciuesin e projektligjit dhe kur dështon edhe në sulmin ndaj iniciuesit, kalon në një fazë tjetër, atë të polarizimit të kuvendit mes pozitës dhe opozitës”.

“Dhe, thuajse në çdo fjalim të deputetëve të opozitës, kryeministri pas tyre e merrte fjalën dhe replikonte me çdo deputet për të bërë polarizimin mes kuvendit për t’i ndërprerë ato urat e bashkëpunimit në interes të qytetarëve sepse kjo ka qenë mënyra e vetme që në një atmosferë të tensionuar në kuvend të votohet kjo nismë”, ka thënë Haxhiu.

Më tej, ai tha se po të hidhej në votim dje kjo nismë ligjore do të kalonte, sepse sipas tij, ka pasur optimizëm dje brenda kuvendit që të kalohet kjo iniciativë, por sipas tij, seanca u ndërpre në mënyrë arbitrare.

“Kryeministri ka kohë që s’ka qëndruar në kuvend më shumë se një orë, ndërsa në seancën e së enjtes ka qëndruar tërë ditën veç që të rrezohet kjo nismë”, është shprehur Haxhiu.

“Ka pasur edhe deputetë të minoriteteve që janë deklaruar pro tërheqjes. Ka pasur edhe deputetë tjerë të VV-së që kanë premtuar se do ta mbështesin këtë kërkesë. Ka pasur deputet të VV-së që ka propozuar tërheqjen e Trustit me anë të pyetjeve parlamentare ku ka kërkuar që të tërhiqen 227 milionë euro”, ka thënë Haxhiu.

Votimi për projektligjin për plotësim-ndryshimin e fondit pensional që do të hapte rrugën për tërheqjen e deri në 30% të Trust-it të inicuar nga Partia Demokratike e Kosovës dhe e mbështetur nga opozita në përgjithësi, nuk kaloi në seancën e kuvendit të enjten e 23 qershorit.

Nga 102 deputetë të Kuvendit të Kosovës të pranishëm në sallë, 44 nga opozita votuan për, 57 të pozitës kundër, dhe një abstenim nga deputeti Fatmir Humolli.

Për të kaluar projektligji ka qenë e nevojshme të votohet nga gjysma e deputetëve të pranishëm, gjë që u mbivendos nga deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, të cilët i thanë jo nismës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore