Lajme

Haxhiu: Ka deklarata që lista e të sanksionuarve nga SHBA-ja do zgjerohet


Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu është shprehur se ka deklarata që lista e të sanksionuarve nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës mund të zgjerohet, por që sipas saj prioriteti i ministrisë së Drejtësisë duhet të jetë mos lejimi i këtyre rasteve.

“Ka shumë deklarata që lista do të zgjerohet, natyrisht nuk kam as kompetencë që ta adresoj këtë, unë e kam shumë të rëndësishme që institucionet tona mos t’i mbyllin sytë karshi këtyre rasteve, pavarësisht emrave të përveçëm të këtyre personave”, ka thënë Haxhiu për agjencinë e lajmeve KosovaPress.

Ajo ka theksuar se është e shqetësuar edhe për tërheqjen e fletëarrestit për Milan Radoiçiçin i cili është gjithashtu pjesë e kësaj liste.

“Kam qenë jashtëzakonisht e shqetësuar që për njërin prej tyre, në muajin shkurt të këtij viti, është tërhequr urdhërarresti, madje kam qenë e habitur me deklaratën e ish-prokurorit të kësaj lënde ku thotë se ‘ka pasur edhe profile të larta që kanë ardhur në derën time’, duke iu referuar politikanëve shqiptarë për të bërë presion tek ai për ta tërhequr këtë urdhërarrest”.

Haxhiu madje u shpreh se personat që janë futur në listën e zezë nga Shtetet e Bashkuara nuk do të mund të ishin pjesë e krimit dhe korrupsionit pa mbështetjen e politikave të qeverive të kaluara.

Zvonko Veselinoviç dhe Milan Radojçiç

“Është komplet e qartë se këta nuk do të mund të operonin me shkelje, krim dhe korrupsionin aq lehtë nëse nuk do e kishin mbështetjen e Prishtinës apo edhe të politikanëve që kanë qenë në Qeveri shumë vite”.

Ndërsa, ka apeluar tek institucionet e drejtësisë edhe atë të sigurisë që të mos kenë mëshirë ndaj kriminelëve në Kosovë.

“Drejtpërdrejtë Ministria e Drejtësisë nuk ka përgjegjësi në këtë, mirëpo ne jemi duke identifikuar nëse kemi diçka që mund të bëjmë në këtë drejtim, nuk duhet të kemi mëshirë ndaj kriminelëve të cilët kanë operuar lirshëm në Kosovës”.

Më tetë dhjetor, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kanë vënë sanksione ndaj disa serbëve të Kosovës.

Serbi nga Kosova, Zvonko Veselinoviç bashkë me të vëllain e 10 persona të tjerë kanë hyrë në listën e zezë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, pasi që janë të dyshuar për kryerjen e disa veprave që bien ndesh me ligjin e që kanë të bëjnë me krimin e organizuar e korrupsionin.

Emri i tij është përmendur shpesh kur bëhej fjalë për “të fortit” e pjesës Veriore të Mitrovicës, por së fundi Departamenti Amerikan i Shteteve të Bashkuara doli me një njoftim se këtyre personave u ka ndaluar hyrjen në SHBA.

Përveç Zvonko Veselinoviç, DASH ka njoftuar se ndalesa për të hyrë në SHBA u është vënë edhe Zharko Veselinoviç, të vëllait, pastaj Zhelko Bojiç, Milan Mihajloviç, Sinisha Nedeljkoviç, Radovan Radiç, Milan Radisavleviç, Milojko Radisavleviç, Milan Radojçiç, Marko Rosiç, Radule Steviç, Milivoje Vuloviç.

Po ashtu, më 17 dhjetor, Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës ia ka ndërprerë kontratën për mirëmbajtje të rrugëve kompanisë së Radule Steviç, i cili është në listën e të sanksionuarve nga SHBA-ja.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore