Lajme

Haxhiu dhe Bushati: Ndikimi i Vetëvendosjes në Shqipëri


“Vetëvendosja e ka autostradën politike të shtruar”.

Kështu është shprehur analisti, Baton Haxhiu, në emisionin Shock të Euronews. Bashkë me Andi Bushatin, ata diskutuan rreth aktivizimit dhe ndikimit të mundshëm që mund të sjellë fitorja e zgjedhjeve të 14 shkurtit nga Vetëvendosja, në Shqipëri.

Sipas Haxhiut, Vetëvendosja përdori “militantizmin dhe arrogancën e AAK-së” që të vendoset në krye të politikës kosovare.

Më tej Haxhiu ka shtuar se Shqipëria e ka një lider të “fuqishëm” dhe se nuk sheh “liderë të tjerë në rritje”.

Ndërkohë, Bushati ishte i qëndrimit se një fitore e mundshme e Vetëvendosjes në Kosovë do t’i bënte mirë vendit, mirëpo ai tha se ishte skeptik që fitorja e Albin Kurtit atje do të ketë ndikim në Shqipëri.

“Duhet të kemi durim dhe të ketë kohë, sepse lëvizjet duan kohë që të tërheqin besim, prandaj edhe nëse do të ketë një sukses të Vetëvendosjes, do të duhet kohë që të ketë efekt në Shqipëri”, tha Bushati.

Lëvizja Vetëvendosje (LVV) në Shqipëri ka deklaruar se do të përpiqet të garojë në zgjedhjet e 25 prillit duke mbështetur kandidatura si brenda ashtu dhe jashtë strukturave të saj, në përputhje me parimet statutore.

LVV-ja me datën 11 mars 2019 ka dorëzuar pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë dokumentacionin dhe kërkesën për regjistrimin e Qendrës “Lëvizja Vetëvendosje në Shqipëri”./AlbanianPost.com

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore