Kosova

Haskuka pranon humbjen, i uron suksese Totajt


Mytaher Haskuka

Kryetari në detyrë i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, të enjten përmes një video adresimi ka bërë të ditur se gjatë ditëve në vijim do të caktohet data për pranim-dorëzim të detyrës së kryetarit të Prizrenit, duke uruar kështu punë të mbarë kryetarit të ri të Prizrenit nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Shaqir Totaj.

“Tani që e kemi certifikimin e kushtëzuar të rezultateve për Komunën e Prizrenit, dhe ankesa jonë e dorëzuar në kohë me postë nuk është pranuar nga Gjykata Supreme, unë do të bisedoj gjatë ditëve në vijim për caktimin e datës për pranim-dorëzim të detyrës”, ka thënë Haskuka

Kryetari në ikje, në paraqitjen e tij të parë pas humbjes së zgjedhjeve lokale, ka thënë se këtë punë e ka nisur me zemër dhe në po këtë mënyrë do të vazhdojë kontributin për zhvillimin e komunës.

“Mandatin po e përmbyllim me një numër të madh të premtimeve që kemi përmbushur, me përmirësime në shumë drejtori dhe shërbime të reja, për Komunën e Prizrenit”.

“Kryetarit të ri i uroj punë të mbarë dhe vazhdim të projekteve që i kemi nisur e që duhet të përfundojnë. Të gjithë juve që më besuat, e më keni përkrahur gjatë gjithë mandatit, përkundër shumë e shumë vështirësive, ju falënderoj përzemërsisht”, ka shtuar ai

Komuna e Prizrenit

Ndryshe gjatë ditës së mërkurë Komisioni Qendror Zgjedhor, kishte bërë certifikimin e rezultatit për Komunën e Prizrenit.

Megjithatë vendimin për certifikim e rezultatit në Komunën e Prizrenit e kishte kundërshtuar anëtari i Lëvizjes Vetëvendosje në KQZ, Alim Rama, i cili ka këmbëngulur se Vetëvendosje në Prizren ka dërguar ankesë në Gjykatën Supreme.

Por një gjë të tillë e ka mohuar Kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, duke thënë se kjo gjykatë i ka kumtuar se nuk është dorëzuar ndonjë ankesë nga ky subjekt politik.

Pavarësisht kësaj certifikimi i rezultatit në Prizren është bërë por që KQZ shtoi se nëse VV-ja ka ndonjë fakt që është dërguar ankesa, atëherë certifikimi do të rishqyrtohet.

Votat e hedhura në kutitë e votimit në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale të dielën e 14 nëntorit në Komunën e Prizrenit fitues e nxorën, kandidatin e PDK-së, Shaqir Totaj.

Kështu bazuar në rezultatet preliminare të KQZ-së, Totaj me një diferencë prej 1 mijë e 75 vota e la pas kundër kandidatin e tij, Mytaher Haskuka.

Kryetari i ri i Prizrenit, Shaqir Totaj

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore