Gjykata Speciale

Hasani: Prokuroria Speciale s’do të mund kurrë ta vërtetojë se UÇK-ja ka qenë “ndërmarrje e përbashkët kriminale”


Enver Hasani

Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Enver Hasani, në një intervistë për “Klan Kosova”, tha se Prokuroria Speciale në Hagë s’do të mund ta vërtetojë kurrë pikën 35 të aktakuzës kundër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për “ndërmarrje të përbashkët kriminale”.

“Unë besoj fuqishëm që kurrë nuk kanë me mujtë me e vërtetu në asnjë formë atë që quhet ‘ndërmarrje e përbashkët kriminale’. Në asnjërën prej tri formave nuk kanë me mujtë me e dëshmu kontinuitetin, sepse organi i akuzës do me tregu që këta kanë qenë shokë prej viteve ’80…”, tha Hasani.

Me gjithë përpjekjet e Prokurorisë së Specializuar se ky proces është ndaj individëve dhe jo ndaj UÇK-së, ajo demantohet me pikën 35 të aktakuzës – e cila i portretizon si anëtarë të “ndërmarrjes kriminale të përbashkët” pothuajse të gjithë udhëheqësit politikë dhe ushtarakë të UÇK-së.

“Elementi i pandryshueshëm për ‘ndërmarrje të përbashkët kriminale’ është kontinuiteti. Nuk mundesh me e provu qëllimin kriminal me faktin se ne kemi qenë shokë qe 30 vjet. Ai kontinuitet duhet me qenë i specifikuar”, shtoi Hasani.

Gjyqi ndaj ish-krerëve të UÇK-së – Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimit – nisi të hënën e 3 prillit, në Dhomat e Specializuara të Kosovës mes seli në Hagë të Holandës, pas më shumë se dy vitesh nga konfirmimi i aktakuzës.

Procesi gjyqësor ka prapa vetes dy vjet e gjysmë zvarritjeje e shkelje – e cila është kritikuar sidomos për tentim të shmangies nga baza juridike e funksionimit të saj, për fshehje të provave shfajësuese, për redaktime të shumta, si dhe për bashkëpunim me Serbinë.

Të katër ish-eprorët e UÇK-së akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit dhe gjenden në qendrën e paraburgimit në Hagë, që nga nëntori i vitit 2020. Që të gjithë, në nisje të gjykimit sërish u deklaruan të pafajshëm për të dhjetë pikat e aktakuzës.

“Nëse UÇK-ja shpallet ‘Ndërmarrje e Përbashkët Kriminale’ të gjitha kryengritjet guerile në histori do jenë ‘NPK’ – do cenohet rëndë Ligji Ndërkombëtar” – intervistë e profesorit amerikan të drejtësisë për Albanian Post

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore