Shqipëria

Hasani: Ligji i ri për Shërbimin e Jashtëm synon të japë energji të re


Ministri i Jashtëm, Igli Hasani, në fjalën e tij në konferencën e ambasadorëve “Tirana Diplo 2024”, është shprehur se me këtë konferencë ringjallet një traditë të dobishme për diplomacinë tonë.

Hasani tha se Ligji i ri për Shërbimin e Jashtëm do të energjizojë diplomacinë.

“Mirënjohje Ramës dhe të pranishmëve për vëmendjen në mbarëvajtjen e politikës së jashtme shqiptare. Konferenca e Ambasadorëve, ringjallim një traditë të dobishme për diplomacinë tonë. Konferenca, instrument efektiv se çfarë duhet bërë më shumë dhe më mirë në vijim. Politika e jashtme e Shqipërisë në vitet e fundit, arritje të panjohura më parë. Këto arritje kanë forcuar imazhin e vendit dhe e kanë bërë diplomacinë më pro aktive. Nuk duhet ta ulim ritmin e punës, nuk duhet të ngecim në vend. Ligji i ri i Shërbimit të Jashtëm, synon t’i japë një energji të re diplomacisë sonë”, tha ai.

Sipas tij, diplomacia e Shqipërisë është një organizëm i gjallë, shumëdimensional, i projektuar drejt së ardhmes.

“Pa ngurruar mund të themi se diplomacia jonë është një organizëm i gjallë, shumëdimensional, i projektuar drejt së ardhmes, e cila vepron sipas parimit të enëve komunikuese jo vetëm me segmentet e tjerë të qeverisë e të shtetit, por edhe të mbarë shoqërisë, një ekip i aftë të përballojë sfidat komplekse të botës ku jetojmë dhe të ofrojë perspektiva”, ka thënë Hasani.

Vitet e fundit politika e jashtme e vendit ka njohur rritje me rëndësi e të panjohura më parë, sipas ministrit.

“Vitet e fundit politika e jashtme e Shqipërisë ka njohur rritje me rëndësi e të panjohura më parë: Këshilli i Sigurimit të OKB-së, kryesia e OSBE-së, Këshilli i të Drejtave të Njeriut në Gjenevë, samiti i vendeve të Evropës Juglindore – Ukrainë, Presidenca e Procesit të Berlinit, e një seri e gjatë nismash rajonale; lista do të zgjatej ndaj po ndalem këtu”, ka shtuar Hasani.

“Sigurisht, këto arritje jo thjesht e vetëm i kanë dhënë një profil të ri imazhit të vendit në botë, por e kanë bërë diplomacinë gjithnjë e më pro aktive, çka na shtyn të ndihemi kryelartë në punën e veprimtarinë tonë, por, nga ana tjetër, edhe më të përgjegjshëm, më të vetëdijshëm dhe më kërkues ndaj vetes. Kjo do të thotë se tanimë nuk na lejohet ta ulim ritmin e punës dhe aq më pak të ngecim në vend”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore