Zgjedhjet në Kosovë

Haradinaj: Referendum për bashkim me Shqipërinë në 2024


“Do të lejojmë qytetarët të vendosin në referendum për bashkim me Shqipërinë”, ka thënë kryetari Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.

Bashkimi, siç e shpjegoi Haradinaj, do të duhej të ndodhte në formë të një “unioni”.

“Nëse në vitin 2024 nuk vërtetohet se Kosova është anëtare e OKB-së dhe nuk është bërë përparim drejt pranimit në OKB – 25 vjet pas luftës, një çerek shekulli që ja kemi dhënë aleatëve tanë që ta finalizojnë statusin ndërkombëtar të Kosovës si anëtare në OKB, NATO dhe drejt integrimit në BE – atëherë t’ia lejojmë qytetarëve të vendosin në referendum për bashkim me Shqipërinë por në union”, tha Haradinaj.

“Unionin”, Haradinaj e përshkroi si të tillë që nuk do t’ia kërkonte as Kosovës as Shqipërisë “të heqin dorë nga të gjitha të arriturat shtetërore, por të krijojnë vlera të përbashkëta”.

Ndër të tjerash, Haradinaj cilësoi se ekonomia në Kosovë gjendet në pandemi po ashtu, e për këtë situatë AAK parasheh një vaksinë ekonomike.

Duke qenë ekonomia fokus kryesor i programit qeverisës së AAK-së, Haradinaj thotë se për të lehtësuar vështirësitë ekonomike në vend, “ideja është që të fusim para të reja në ekonomi – te sipërmarrësit dhe qytetarët – e jo të rrisim taksa”.

Në pyetjen se si mendon AAK të realizojë programin qeverisës pa pasur kandidat për kryeministër, Haradinaj tha se nuk synon udhëheqjen e qeverisë.

Ai bëri të ditur se AAK është e hapur për një koalicion të mundshëm.

“Nuk synojmë udhëheqjen e qeverisë, por pjesëmarrjen në të, marrjen e përgjegjësive në qeverinë e ardhshme. Po ashtu negocimin e këtij programi; pra këto idetë tona programore së bashku me idetë e partnerit potencial ose partnerëve”, tha ai në intervistën e tij në televizionin Klan Kosova.

Haradinaj cilësoi programin qeverisës të AAK-së si një program shumë ndihmës për qeverinë e ardhshme.

AAK ka bërë të ditur programin qeverisës 2021-2025 me të cilin garon në zgjedhjet parlamentare të 14 shkurtit.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore