Lajme

Haradinaj: Propozimi franko-gjerman është final, marrëveshja nënshkruhet sivjet


Ramush Haradinaj

Ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka pohuar se e ka parë propozimin franko-gjerman për dialogun Kosovë-Serbi, të cilin Albanian Post e ka publikuar më 18 shtator, duke theksuar se ky propozim ka ardhur direkt nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe sipas tij, marrëveshja do të nënshkruhet gjatë këtij viti.

Ai ka zbuluar edhe një detaj të rëndësishëm rreth përmbajtjes së “kornizës së re” që iu është prezantuar krerëve institucionalë në Kosovë dhe Serbi.

“Plani franko-gjerman është amerikan, dhe është marrëveshja finale me Serbinë, aty është njohja e Kosovës”, ka thënë Haradinaj për Radio Televizionin e Kosovës.

“Marrëveshja mund të mos quhet marrëveshje për njohje, mund të quhet marrëveshje për normalizim, por në përmbajtje e ka njohjen”, ka shtuar ai.

Gjithashtu, lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, propozimin e përpiluar pas angazhimit të këshilltarëve të kancelarit Olaf Scholz dhe presidentit Emanuel Macron e sheh si “marrëveshje finale” për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.

“Nuk do të ketë marrëveshje tjetër, nuk do të ketë më negociata në mes të Kosovës dhe Serbisë për asgjë tjetër, kjo është finalja”.

Tutje, ai ka komentuar edhe kërkesën e Perëndimit për shtyerjen e vendimit për konvertimin e targave ilagale serbe në ato RKS, së paku edhe dhjetë muaj.

“Mendoj se kërkesa e (Gabriel) Escobar, por edhe e QUINT-it është që të kihet kujdes dhe të planifikohet mirë edhe kohëzgjatja e implementimit në mënyrë që mos të ketë tensione dhe incidente që mund të shfrytëzoheshin ose prej palës serbe ose prej palëve tjera për të fajësuar Kosovën”, vlerësoi ai.

I pari i AAK-së ka folur edhe për çështjen e liberalizimit të vizave për Kosovën dhe siç mendon ai, heqja e regjimit të vizave lidhet me procesin e dialogut.

“Kësaj here shihet se është shumë e ndërlidhur. Nga mënyra se si do të sillemi në dialog, ata do të sillen ndaj nesh. Kushtëzimin e tillë e kanë bërë për të na mbajtë nën kontroll deri në përmbyllje të dialogut”.

Ndryshe, me 20 tetor, Albanian Post ekskluzivisht publikoi skenarin e prezantuar për para-marrëveshjen Kosovë-Serbi ku thuhet se pajtimi i parë duhet të arrihet më së largu deri me 24 shkurt.

Përfaqësuesi Special i Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë Serbi, Miroslav Lajçak, dhe i zëvendës-ndihmës sekretari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe i deleguar amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ua kanë bërë të qartë kryeministrit të Kosovës dhe Presidentit të Serbisë, se “Tema e Kosovës dhe Serbisë duhet të mbyllet para një vjetorit të fillimit të luftës në Ukrainë”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore