Shqipëria

Haradinaj përgëzon Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut: Kosovës i shkurtohet rruga e integrimit


Kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.

Kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj rastin zyrtar të hapjes së negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut e ka quajtur moment historik.

Ai përmes një shkrimi në rrjetin soical ‘Facebook’ është shprehur optimist për këtë rrugëtim edhe për Kosovën.

“Dua të besoj fuqishëm se një hap i tillë e shkurton rrugën e integrimit edhe të Kosovës dhe Bosnjës, me çka do të përmbyllej projekti i përfshirjes së Ballkanit Perëndimor në familjen e madhe evropiane”, ka shkruar Haradinaj.

Shkrimi i kreut të AAK-së, Ramush Haradinaj.

Të njëjtat shpresa, kreu i AAK-së i ka edhe për liberalizimin e vizave për Kosovën.

“Shpresojmë që hapi i parë, drejt këtij integrimi të ndodh në këtë vjeshtë me liberalizimin e vizave për Kosovën”.

Në rastin zyrtar të hapjes së negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, këto dy të fundet i ka uruar edhe Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi.

Përmes një shkrimi në llogarinë e tij në Facebook, Krasniqi shkroi se është “Një proces më se i merituar për të dy vendet, të cilat, me punë, angazhim e reforma, kanë dëshmuar se janë gati dhe e meritojnë shansin historik për t’u bërë pjesë e BE-së”.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, së bashku me homologun e tij maqedonas, Dimitar Kovaçevski, janë takuar me Presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, në prag të nisjes zyrtare të bisedimeve mes dy vendeve ballkanike dhe Bashkimit Evropian.

Kjo ka qenë pamja e parë e liderëve ballkanikë në Bruksel, së bashku me presidenten e KE-së.

Disa tryeza me shumë rëndësi dhe konferenca të shumëfishta për shtyp do të zhvillohen ndërkaq përgjatë kursit të ditës, me një agjendë shumë intensive për delegacionin shqiptar dhe atë maqedonas.

Pas vitesh të tëra pritje, gjenerata e re e marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe BE-së, merr jetë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore