Lajme

Haradinaj për vizitën e Kurtit në SHBA: Po kursehem, sepse nuk po i shoh të arriturat e kësaj vizite


Kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka kritikuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti për vizitat që është duke u zhvilluar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Haradinaj i cili sapo është kthyer nga SHBA-ja këto ditë, deklaroi se rezultatet e kreut të ekzekutivit nuk po i sheh.

“Mendoj se kam bërë punë të duhur atje, është tepër me rëndësi për Kosovës me u forcuar siguria, shteti ligjor, baza ekonomike e Kosovës por edhe miqësia me Amerikën, sepse na afron drejt NATO-së. Sa i përket komenteve për vizitën e kryeministrit po kursehem sepse nuk po i shoh të arriturat e kësaj vizite”.

“Kurti është ta quaj ashtu shumë shkurtpamës në ekonomi, ai ka ndërprerë të gjitha investimet kapitale në infrastrukturë, nuk mundesh me bo ekonomi pa infrastrukturë, parakusht që me ndodh ekonomia është infrastruktura për këtë arsye thash po kursehem për shkak se nuk po i shoh të arriturat nuk po e shoh suksesin e kohës që po e shfrytëzon atje”, tha Haradinaj për agjencinë e lajmeve KosovaPress.

Kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.

Ndërsa për të arritur marrëveshje me Serbinë tha se Kosova duhet të kalojë në ofanzivë politike dhe diplomatike në procesin e dialogut.

Ai shprehet se vazhdimi i dialogut teknik vetëm po i sjellë dëme Kosovës.

“Mendoj se është duke i sjell dëme vazhdimi i dialogut të teknikëve rreth ngjitësve të tabelave dhe stikersave. Është koha me kaluar në një ofanzivë politike dhe diplomatike në dialog me e ngushtuar Serbinë, pra me vendos para aktit të kryer për marrjen e njohjes e kjo qasje e dialogut është e gabuar”.

Më 13 maj, Kosova dhe Serbia sërish s’kanë arritur marrëveshje për çështjen e targave.

Kështu kishte bërë të ditur emisari special i Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak, pas takimeve me delegacionet e të dyja shteteve të premten e 13 majit në Bruksel.

Sipas tij ka pasur rezultate të përziera duke shtuar se ka pasur progres në temat tjera, përfshirë energjinë.

Ndër të tjera shtoi se, “puna do të vazhdojë”.

Edhe, më 21 prill, kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi, kishte bërë të ditur se me palën serbe nuk kanë arritur marrëveshje për çështjen e targave.

“Jo, fatkeqësisht nuk mund të jap lajm të mirë. Grupi ynë punues sërish është munduar edhe ditën e djeshme që të vijë deri te një draft-propozim që do të na bartej ne sot për diskutim. Fatkeqësisht ka zero gatishmëri nga pala serbe për t’u dakorduar për një zgjidhje të mundshme brenda kornizave që i ka paraparë pika e tretë e marrëveshjes e 30 shtatorit”, kishte deklaruar ai para mediave pas takimit.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, paraprakisht pati thënë se baza e çfarëdo marrëveshjeje për targat duhet të ketë një parim elementar – reciprocitetin.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore