Zgjedhjet në Kosovë

Haradinaj ngulmon: Dua referendum për bashkim me Shqipërinë


“Nëse do të kem privilegjin dhe nderin të udhëheq vendin tim si president, do të ndihmoj qeverinë në punën e vendit dhe do të mbaj një referendum për unionin me Shqipërinë”.

Kështu ka deklaruar ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, që nga posti i kryetarit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës synon ta marrë atë të Presidentit të Kosovës.

Kjo deklaratë e liderit të AAK-së është në vazhdën e adresimeve që ai ka bërë lidhur me këtë temë, e që në gjenezë lidhen me relacionet Kosovë-Serbi.

Haradinaj ditë më parë kishte vënë theksin tek bashkimi i Kosovës me Shqipërinë, në rast se Kosova nuk bëhet anëtare e Organizatës së Kombeve të Bashkuara deri më 2024.

Një qëndrim të ngjashëm ai e kishte ndërlidhur edhe me mosnjohjen e Kosovës nga Serbia, duke shkaktuar valë mediatike dhe reagimin e presidentit serb Aleksandar Vuçiq.

Në zgjedhjet e datës 14 shkurt, Haradinaj është i vetmi kryetar partie që ka vendosur të garojë jo për postin e kryeministrit, por për atë të presidentit.

Ndërsa, programi me të cilin Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës garon në zgjedhje është më tepër i lidhur me qeverisjen nga pozita ekzekutive.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore