Kosova

Haradinaj, Kurtit: “Mos e shtrenjto rrymën, e lëri retorikat”


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe deputeti Ramush Haradinaj

Kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, përmes një reagimi në Facebook, ka kritikuar përsëri Kryeministrin Albin Kurti, pas lajmëresës së rikthimin në funksion të Bllokut B, për të cilën tha se lajmi do të duhej të ishte mos-shtrejntimi i rrymës e jo rikthimi i Bllokut B.

“Lajmi i ditës do të ishte “nuk do të ketë shtrenjtim të rrymës në Kosovë” e jo u rikthye në prodhim Blloku B! Nuk është hera e parë që bjen e rikthehet ky bllok”, shkroi Haradinaj.

Haradinaj gjithashtu e “ç’hipotetizoi” pyetjen e ngritur nga Kurti “eh, sikur t’i kishim blloqet B-3, B-4”, duke e përmendur edhe gazsjellësin amerikan.

“Kryeministri i paska bërë disa pyetje hipotetike: Eh sikur ta kishim të renovuar Kosovën A…eh sikur ti kishim blloqet B-3, B-4… eh sikur…Po paska harru të thotë: Eh sikur të mos e kisha bllokuar projektin “Kosova e Re”; eh sikur të mos e kisha refuzuar gazin amerikan”, konsideron kreu i AAK-së.

“Po e shkuara është e shkuar. Ai nuk është aty për të vajtuar por për të gjetur zgjidhje”.

Ramush Haradinaj i bën thirrje Kurtit të mos e shtrenjtoj rrymën, dhe ti lë retorikat.

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka njoftuar se është kthyer në funksion blloku B2 i termocentralit, Kosova B.

Kurti, lajmin e ka bërë të ditur përmes një postimi në llogarinë e tij të Facebook-ut, ndërsa ka thënë se sinkronizimi ishte bërë në mbrëmjen e vonshme të 22 janarit, teksa kthimi në punë ka ndodhur një ditë më vonë.

“Rreth 200 euro kushtoi 1 MWh në bursën ndërkombëtare të energjisë dje. Mirëpo sot në ora 10:15 u kthye në punë blloku B2 i TC ‘Kosova B’, me fuqi 245 MW”, ka shkruar Kurti në Facebook.

“Sinkronizimi është bërë mbrëmë në ora 23:55, gjendja e turbinës është e mirë dhe nuk ka pasur nevojë për balancim”, ka shtuar ai.

Mes tjerash, i pari i Qeverisë, ka thënë se Kosova do të paguaj 50 mijë euro më pak në importin energjetik, ndërsa ka “shpresuar” që tashmë të kishte ndodhur rindërtimi i TC “Kosova A”.

“Me fjalë tjera, për çdo orë do t’i paguajmë rreth 50 mijë euro import më pak, e deri nesër në mëngjes rreth 1,2 milion euro më pak se gjatë ditëve të javës që po lëmë pas”, ka shtuar Kurti.

“Ky është lajm shumë i mirë për të gjithë neve. Eh sikur ta kishim tash TC ‘Kosova A’ të rindërtuar nga Bilfingeri gjerman dhe blloqet B3 dhe B4 me nga 300 MW fuqi secila!” , ka përfunduar ai.

Blloku B2 kishte rënë jashtë sistemit të prodhimit më 14 dhjetor të vitit të kaluar.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore