Lajme

Haradinaj, Kurtit: Fajin nuk mund ta kërkosh diku tjetër, pos te vetja


Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës Ramush Haradinaj dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe deputeti, Ramush Haradinaj e ka kritikuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti për marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA).

Përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’, Haradinaj ka kërkuar sqarim nga Kurti në disa prej pyetjeve të cilat i ka parashtruar.

“Cila është logjika e kryeministrit kur thotë se SHBA nuk mund ta përfaqësojnë Kosovën, kur nuk mbahet mend që Amerika ta ketë kërkuar një gjë të tillë! (Pse nuk i kishte shkuar ndërmend Albin Kurtit të thoshte në vitin 1999 se Amerika nuk mund ta çlirojë Kosovën)!”, ka shkruar Haradinaj.

Ai tutje i ka thënë kryeministrit se me veprimet që po bën nuk mund ta luajë rolin e “viktimës” sërish.

“Pse ai me çdo kusht kërkon që Amerikën ta bëjë pjesë të problemit kur ajo ishte dhe është pjesë e zgjidhjes. Pse Albin Kurti mundohet ta krijojë përshtypjen se ai mund të jetë viktimë e një “komploti ndërkombëtar”! Apo po provon që edhe njëherë ta luajë viktimën, si në vitin 2020!”.

Tutje, ish kryeministri ia ka bërë të ditur rolin e kësaj pozite duke i bërë thirrje që të mos e konsideroj pozitën “si të lehtë”.

“Detyrat dhe obligimet e një kryeministri janë të rënda, aq më tepër në rastin e Kosovës, dhe nëse nuk mund t’u bësh ballë sfidave që t’i nxjerr koha përpara, fajin nuk mund ta kërkosh diku tjetër, pos te vetja!”.

Kurse, ka kërkuar ndryshim nga kryeministri dhe nga qasja e tij me partnerët.

“Kosova nuk e ka luksin të bëjë eksperimente duke u armiqësuar me partnerët strategjikë por duhet të shtrohet e të rinisë një fazë tjetër bashkëpunimi. Kjo dmth se Kryeministri duhet të bëjë kthesë për 180 shkallë sepse është në drejtimin e gabuar!”.

“Ky vit nuk mund të vazhdojë me të njëjtat gabime, sepse me këtë kurs është vënë në rrezik edhe vet ekzistenca e shtetit”.

Haradinaj ka shtuar se “unë u besoj atyre vendeve, që në krye me Amerikën, na janë gjendur në kohë të vështira”.

Qeveria e Kosovës, vazhdimisht është kritikuar për ftohje të marrëdhenieve me SHBA-të, mirëpo të njëjtit gjithmonë kanë deklaruar se “marrëdhëniet e Kosovës me SHBA” vazhdojnë të jenë të mira.

Para dy muajsh, kryeministri Albin Kurti, në konferencë për media është pyetur për marrëdhëniet e Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA).

Sipas kryeministrit, mënyra se si është duke u raportuar që ka Kosova marrëdhëniet me SHBA-të është ofendim edhe për këtë shtet.

“Shtetet e Bashkuara të Amerikës, i kemi miq dhe partnerë, pra miqtë dhe partnerët nuk shkruajnë asi komunikatash çfarë i cituat ju, pra nuk ekziston raporti i tillë i ynë për besë kjo mënyrë është edhe ofendim për Shtetet e Bashkuara të Amerikës”.

Ai madje kishte sqaruar se raportet me SHBA-të nuk mund të jenë si me “nipin e gjyshin”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore