Lajme

Haradinaj: Kurti pa plan për pandeminë dhe ekonominë


Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj përmes një postimi në Facebook është shprehur se kryeministri Kurti nuk ka pasur plan as për pandeminë e po ashtu as për ekonominë.

“Qeveria e Kosovës ashtu siç nuk kishte asnjë plan konkret për pandeminë, nuk ka asnjë plan as për ekonominë. E kemi theksuar edhe në konferencën për media për temën e Ekonomisë, që pakoja e ashtuquajtur e ‘Ringjalljes’, nuk e ka as fokus e as qëllim ekonominë”, deklaron Haradinaj.

Ai konsideron që pakoja e ringjalljes ka për qëllim “ringjalljen” e votuesve.

“Me masa tërësisht sociale, kjo pako ka të vetmin qëllim “ringjalljen” e votuesve, të cilët për pak muaj e kanë kuptuar që kanë votuar për mashtrim”, ka thënë Haradinaj.

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.

Haradinaj tutje ka shkruar se sektori privat kërkon intervenim direkt nga shteti pasi është në vështirësi.

“Ekonomia e Kosovës, posaçërisht sektori privat është në vështirësi dhe kërkon intervenim direkt për rimëkëmbje nga shteti. Pavarësisht që para nesh janë zgjedhjet lokale, është nevojë emergjente të merremi me ekonominë”.

Ndërkaq shtoi se, “në të kundërtën, shteti, komunat dhe qytetarët do t’i vuajnë pasojat për shumë vite të ardhshme! Në mungesë të reflektimit të Qeverisë, ftoj partitë politike të përkushtohemi bashkërisht”.

Po ashtu, më 4 shtator Haradinaj përmes një postimi në Facebook, ka kërkuar dorëheqjen e Albin Kurtit, ndërsa ka thënë se Kurti sërish “ka angazhuar hajnat e vegjël të dalin nëpër televizione” derisa ende nuk ka marr përgjigje për shumë pyetje të bëra.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore