Lajme

Haradinaj: “Kurti është njeri i poshtër”


Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, mendon që kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, “është njeri i poshtër”, derisa ka shtuar se kryeqeveritarit “sahati po i shkon mbrapsht”.

“Kurti është njeri poshtër, kjo qeveri janë të poshtër”, tha Haradinaj në Kanal 10.

“Prej ditës që ka fituar Lëvizja Vetëvendosje, sahati i shkon mbrapsht. Mashtrimi që i ka bërë këtij vendi është i pa precedent”.

Kreu i AAK-së, ka theksuar se “jam i prekur dhe i indinjuar”, kur është pyetur për ndaljen e pagave për grevistët nga Qeveria.

“Këta njerëz që guxojnë me ua ndalë pagën mësueseve janë njerëz të poshtër”.

“Aleanca tash është rritë në 14 për qind, kjo rritje është falë Albin Kurtit. Ne e kishim pas vështirë me u rritë pa ndihmën e Albin Kurtit”.

Ndërsa shefja e Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari-Lila, ka deklaruar se Ligji për grevën e përcakton qartë mënyrën e kompensimit për grevistët.

Kështu ka bërë të ditur ajo në konferencë për media pas mbledhjes së kryesisë së Kuvendit të Kosovës.

“Ligji për Grevën e përcakton saktë edhe kompensimin apo moskompensimin për ata që janë pjesë në grevë. Kjo ka qenë një komunikim mes Ministrisë së Financave dhe agjencioneve buxhetore edhe për muajin e kaluar kur janë kërkuar azhurnimi i listave për punëtorët të cilët kanë qenë në grevë”.

Sipas saj, grevistët nuk duhet të paguhen për ditët në të cilat kanë qenë në grevë.

“Me ligj parashihet që punëtorët e sektorit publik, por edhe privat, parashihet që sipas rregullave të përcaktuara për grevën, nuk kompensohen për ditët të cilët nuk janë në vendin e punës”.

Por, kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës dhe udhëheqës i Këshillit Grevist, Rrahman Jasharaj, ka potencuar për Albanian Post se “po nuk u ekzekutuan pagat për të gjithë mësimdhënësit do ketë tensione”.

Pas një muaj grevë të hënën e 3 tetorit ka nisur viti i ri shkollor në të gjitha institucionet arsimore publike në Kosovë.

Sindikalistët morën vendim që grevën e nisur që nga 25 gushti të e pezullojnë deri në janarin e 2023-së.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore