Lajme

Haradinaj: Kurti është kryeministri më i dobët që ka pasur Kosova


Ramush Haradinaj, Kryetar i AAK-së

E tha sërish. Se kryeministri aktual i Kosovës, Albin Kurti, është më i dobëti që shteti kishte ndonjëherë, Ramush Haradinaj, Kryetar i AAK-së, po e përsëritë sa herë që ftohet në studio televizive.

Kësaj here në T7, Haradinaj tha se mbështetjen që i dhanë rezolutës së Kurtit për të ndalur mbajtjen e referendumit serb në Kosovë, e bënë për të mos dobësuar, sikur vet kryeministri, pozicionin e Kosovës.

“E pamë edhe vetë”, filloi shpjegimin Haradinaj, “nuk duam të godasim qeverinë në këtë mënyrë”.

“Në pozitën që është Kosova, nuk na konvenon që të jemi të përçarë dhe duhet të jemi bashkë. Kushdo, jo vetëm kjo qeveri, e ka përkrahjen tonë në përballjet me Serbinë”, tha ai.

“Qartësia jonë në referendum u ndihmoi të gjithëve. Duhet të përmendim njohjen reciproke pasi ndryshe nuk mund të vazhdojmë”, shtoi.

Por kjo mbështetje për Haradinajn nuk do të thotë se si do dhe mund të bashkëpunoj me Kryeministrin dhe partinë e tij.

“Nuk duam aspak të bashkëveprojmë. Albin Kurti është kryeministri më i dobët që ka pasur Kosova. Nuk kemi interes për bashkëpunim me këtë qeveri”, shtoi ai.

Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj ka folur edhe për procesin e dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Ai tha se Qeveria e Kosovës po i ikë Amerikës, për çka shtoi se nuk ka arsye.

Sipas Haradinajt, deri tani Qeveria ka pasur një qasje hezituese dhe frikësuese nga roli i Amerikës në dialog.

Ish kryeministri i Kosovës vlerëson se Kurti është duke gabuar kur po mendon se “koha punon për të dhe për Kosovën”.

“Nuk ka arsye qeveria jonë me i ikë Amerikës. Deri tash ka pas një qasje hezituese e frikësuar nga roli i Amerikës në dialog. Është konstatu një ikje ose mungesë e një kërkese serioze që Amerika me e marrë përsipër këtë çështje. Mendoj që është duke e bërë gabimin e madh Kurti që koha punon për të dhe për Kosovën. Nuk kemi aq shumë kohë me humb”, ka thënë Haradinaj.

Haradinaj i ka bërë thirrje Prokurorisë të hetojë pse po rritet çmimi i rrymës pas milionave të paguara nga Qeveria?

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka kërkuar nga prokuroria që të hetojë vendimin për rritjen e çmimit të energjisë elektrike.

Haradinaj ka thënë se rritja e çmimit të energjisë nuk ka kuptim pasi qytetarët vuajtën me reduktime dhe para tjera u morën nga buxheti.

“Kjo punë duhet të hetohet nga prokuroria. Nuk bën kështu. Fillimisht bënë reduktime. Pastaj morën para nga buxheti dhe tash po rritin çmimet e energjisë. Po të tregonin në fillim krejt, se qytetarëve duhej t’u rritej çmimi, pasi kriza ishte e paralajmëruar, tani nuk do të kishim nevojë për reduktime e as para nga buxheti. Ose pse duhet të rritet çmimi nëse rryma e importuar u ble nga qeveria?”, thotë Haradinaj.

“Qeveria ka paguar miliona. Tani po paguan akoma më shumë me këto shpenzime që i kanë paraparë. Brenda muajit Kurti ia shpenzoi 100 milionë euro buxhetit të Kosovës”, shtoi.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore