Lajme

Haradinaj: Ka dyshime se Kurti dëshiron ta ndajë Kosovën


Ramush Haradinaj e ka ashpërsuar kritikën në raport me pasardhësin e tij në qeveri, Albin Kurtin.

Kryeministri aktual, sipas Haradinajt, “ka skenar për ta ndarë Kosovën”.

Në këtë përfundim, Haradinaj thotë se ka ardhur duke parë veprimet e fundit të Kurtit, aspak të koordinuara me aleatët kryesorë të Kosovës, veçanërisht Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Kosova nuk guxon të veprojë pa u mbuluar se dihet rezultati”, tha Haradinaj në emisionin Debat Plus në RTV Dukagjini, derisa fliste për situatën e fundit të krijuar në veri pas vendimit të qeverisë për ta aplikuar shkallëzimin e dënimit për targat ilegale.

“Këto veprime nuk e kanë mbulesën e aleatëve tanë të sigurisë. Dështimi i Kurtit është se nuk e ka marr bekimin e Amerikës”, thotë Haradinaj.

Për ta sqaruar sa e rëndësishme është aleanca me SHBA-në, Haradinaj ka përmendur edhe kohën e luftës.

“Më 24 mars 1999 ka ndodhur mrekullia e Zotit”, deklaroi ai, duke iu referuar bombardimeve të NATO-s.

“Amerika i ka prirë NATO-s dhe kanë ndërhyrë në Kosovë duke e zmbrapsur regjimin e Milosheviç-it”.

Kreu i AAK-së ka shtuar se Kurti përveç ftohjes së aleancave, po dështon edhe në implementimin e ligjit në Veri.

“Ka pas tjerë që kanë mundur, por jo Kurti”, pohon ai, duke aluduar në kohën e tij si kryeministër, duke iu kthyer prapë raporteve me Amerikën.

“Amerika është hidhëruar me Qeverinë e Kosovës për dëmin që po ia bën vendit të vetë”.

Ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, s’ka harruar pa përmendur edhe kohnë e luftës, kohë në të cilinë Haradinaj tha që “Kurti zgjodhi të përfundojë në burgje” dhe “hezitoi t’i bashkohet UÇK-së”.

Përfundimisht, Haradinaj qasjen e kryeministrit e vlerësoi si të gabuar, duke thënë se “nuk mundet të shkojë kësaj rruge i vetëm”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore