Lajme

Haradinaj: Asociacioni duhet të shqyrtohet nga Gjykata Kushtetuese


Ramush Haradinaj

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, në fjalën e tij në akademinë përkujtimore që është organizuar nga Organizata e Veteranëve të dalura nga Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) në Pejë, ka thënë se çfarë do modeli për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe “duhet t’i nënshtrohet një shqyrtimi nga Gjykata Kushtetuese dhe të sillet në Kuvendin e Republikës”.

“Ne duhet t’i themi botës se kemi marrë obligime siç është Asociacioni, por ky i fundit së pari duhet të kalojë në Gjykatën Kushtetuese e cila e vlerëson nëse është ose jo kushtetues. Ne i themi se Asociacioni duhet të sillet edhe në Kuvendin e Republikës, pra jo me bë improvizime dhe eksperimente. Pra, ne nuk duhet me i ikë shqyrtimit në Gjykatën Kushtetuese për me pa se a është në përputhje më ligjet tona”, ka deklaruar në fjalën e tij Haradinaj.

Ndërkaq, kreu i AAK-së ka bërë thirrje për bashkimin e forcave politike në lidhje me temat e rëndësishme për Kosovën, sepse siç thotë ai “kësisoj rritet mundësia për ecje para”.

“Ne nuk guxojmë të jemi të ndarë në procese të rëndësishme për vendin sepse e dobësojmë veten, e zvogëlojmë mundësinë tonë për me ecë përpara. Ne duhet ta kuptojmë se nuk zhbllokohet procesi i anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare pa i kry obligimet tona, d.m.th Asociacionin. Nëse ne bëhemi bashkë dhe e kalojmë Asociacionin përmes Gjykatës Kushtetuese, atëherë besojë se nuk do të ketë pengesa më rrugës”, beson ai.

Ish-kryeministri, po ashtu vlerëson se Kosova mund të jetë plotësisht e sigurt vetëm atëherë kur do të bëhet anëtare e NATO-së.

“Sot jemi të gjithë bashkë, në Kosovën e lirë, në Republikën tonë, me Polici, Ushtri, shkolla, me institucione por edhe në aleancë me NATO dhe me Amerikën, një aleancë shumë e çmuar. Sot në Kosovë flitet për shumë tema, ne nuk duhet ta ndalim vetën, është mirë të arrihet marrëveshje në mes Kosovës dhe Serbinë me njohje, dhe njëkohësisht ta ruajmë Kushtetutën tonë, sistemin tonë dhe institucionet tona”.

“Dokumenti franko-gjerman e që në fakt është amerikan, na duhet neve sepse kemi nevojë me nis procesin për anëtarësim në NATO, sepse sot siguria është gjëja më e rëndësishme në botë. Ne mund të themi se jemi plotësisht të sigurtë vetëm atëherë kur jemi anëtare e NATO-së. Është e pamundur me konfirmu se jemi të sigurt pa qenë anëtare të NATO-së. Edhe shtetet më të fuqishme në botë janë anëtare të NATO-së sepse kjo bëhet për mbrojtje të përbashkët”, ka thënë Haradinaj.

Jahtë kësaj, Haradinaj tha se “qëllimet e armikut” (Serbisë) për qytetin e Pejës, ku edhe po mbahet akademia përkujtimore për nder të Ditës së Dëshmorëve të Kombit, kanë qenë tëpër të këqija.

“Është nder për mua të flasë para bashkëluftëtarëve dhe familjarëve të dëshmorëve në Pejë, besoj e kuptoni se qëllimet e armikut kanë qenë gjithmonë jo të mira për këtë pjesë të Kosovës, pra për Pejën. Në ato qëllime, armiku kishte mbështetjen me krejt arsenalin luftarak dhe kishte interesa të mëdha, mirëpo mobilizimi ynë i atëhershëm me shtabet lokale dhe pozicionet e para luftarake, bashkëpunimi me shtabin emergjent në Pejë dhe gradualisht një konsolidim i yni i UÇK-së bëri që në Pejë të kthehet çdo zonë, pra çdo pjesë e territorit të Komunës së Pejës”, shtoi Haradinaj.

Përveç kësaj, ai nënvizoi se pamja e parë e Pejës menjëherë pas luftës ka qenë më të vërtetë shumë e trishtueshme.

“Në momentet kyçe UÇK-ja jo vetëm që ishte prezente në këtë zonë duke përfshirë edhe qytetin, por edhe arriti me kriju edhe momente të çmuara luftarake. Pra në bashkë arritëm me i zhvendos disa raste me pritë ose me pengue depërtimin e armikut”.

“Lufta e UÇK-së e sjelli lirinë dhe i dha përjetësinë shumë njerëzve, i dha përjetësinë të dashurëve tanë. Peja ka shumë dëshmorë, martirë por edhe të pagjetur ende, por nga lufta doli edhe e rrënuar krejtësisht. Ju e dini se pamja e parë e Pejës menjëherë pas luftës ka qenë vërtetë e trishtueshme”, është shprehur Haradinaj.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore