Shqipëria

Prezantohet linja e transportit publik ekologjik në Tiranë


Kryetari i Bashkisë Tiranë prezantoi mëngjesin e 24 korrikut, linjën e transportit publik të gjelbërt.

Rreth 18 autobuzë me mbishkrimin ‘Go Green’ ishin rreshtuar në ambientet e sheshit ‘Nënë Terezë’ ku ishin prezentë edhe qytetarë të Tiranës.

“300 autobuzë në Tiranë transportojnë rreth 200 mijë banorë”, tha Veliaj.

Ndër të tjera ai përmendi që një projekt i tillë po zbatohet në Gothenburg edhe në shumë qytete të tjera “por ende jo në shumë vende të ballkanit”, theksoi kryebashkiaku.

Linja e re e autobusëve ekologjikë është linjë hibride. Në rast se shpejtësia e urbanëve ulet, autobusët punojnë me motor elektrik dhe kjo synon të reduktojë ndotjen e ambientit në qytet.

“Nëse kemi marrë përsipër që të jetojme në qytetin më të pasur të Shqipërisë, në qytetin e artit dhe kulturës, besoj se ka ndërgjegje të përdorim biçikletat për distancat e vogla dhe autobuzat tashmë miqësorë me mjedisin”, tha Veliaj.

“Tirana konsiderohet ndër qytetet më të ndotura të Shqipërisë me 100 mikro gramë për metër kub me grimca të ngurta, blozë dhe benzene, shifër që është disa herë më e lartë se normat e lejuara nga Bashkimi Evropian”, thuhet në studimin e kryer nga nga specialistët e Institutit të Shëndetit Publik, vitin e kaluar.

Projekti i ri i transportit publik ekologjik është prodhim i marrëveshjes ndërqeveritare të nënshkruar midis Gjermanisë dhe Shqipërisë për financimin në shumën e 50 milionë eurove.

Projekti përqëndrohet në tre korridorët kryesor të kryeqytetit, përkatësisht linja lindje-perëndim nga Kinostudio në Kombinat, Unaza, dhe Tirana e Re.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore