Hapet gara për Drejtorin e ri të Policisë së Shtetit, kandidatët kanë 7 ditë kohë për të aplikuar

SHFLETO
Rajmonda Basha
10.09.2024 16:30
Loading Icons...

Policia e Shtetit ka publikuar thirrjen për aplikim për pozicionin e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit.

Krahas thirrjes janë bërë me dije dhe kriteret që duhet të plotësohen:

-mban njërën nga gradat e rolit të mesëm drejtues

– të ketë shtetësi shqiptare

-të mos ketë qenë i dënuar për kryerjen e një vepre penale, me vendim gjyqësor të formës së prerë

-të mos ketë marrë masat disiplinore të përcaktuara në shkronjat “c”, “ç” dhe “d” të pikës 1 të nenit 123 të ligjit 82/2024 “Për Policinë e Shtetit”, brenda 5 (pesë) vjetëve të fundit

– të jetë në kushte shëndetësore që e lejojnë të kryejë detyrën përkatëse

– të mos ketë konflikt interesi në ushtrimin e detyrës, në përputhje me legjislacionin për konfliktin e interesit

Gjithashtu është njoftuar për dokumentacionin dhe mënyrën e aplikimit.

Kërkesë me shkrim e aplikantit drejtuar Ministrit të Brendshëm për të shprehur interesin për pozicionin e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit.

Kërkesa me shkrim shoqërohet nga dokumentet e mëposhtme:

-një jetëshkrim i përditësuar;

-një platformë personale e qëllimeve dhe objektivave që kandidati propozon të ndjekë. Ky dokument duhet të jetë punë origjinale e kandidatit dhe nuk duhet të kalojë 20 faqe, në llojin e shkrimit Times Neë Roman, madhësia 12, me një njësi hapësirë mes rreshtave;

-një vetëdeklarim sipas ligjit nr. 138/2015 “Për garantimin e integritetit të personave të zgjedhur, emëruar ose që marrin funksione publike”;

-dëshmi të gjendjes gjyqësore lëshuar nga organi kompetent shtetëror, e lëshuar jo më herët se 3 muaj nga data e paraqitjes së shprehjes së interesit;

-vërtetimin/dokumentacionin e përshtatshëm që provon përvojën e punës së kandidatit për pozicionin për të cilin konkurron;

-rezultatet e vlerësimit profesional dhe etik të kandidatëve në punët që kanë bërë në të shkuarën, nëse ka, apo rezultatet e arritura gjatë përvojave të tyre të punës, që lidhen me ushtrimin e funksioneve në fushën e rendit dhe sigurisë;

-rezultatet e arritura gjatë studimeve të larta dhe në trajnime dhe kurse të certifikuara, brenda dhe jashtë vendit;

-rezultatet e arritura gjatë studimeve pasuniversitare në fushën e rendit ose sigurisë;

-kopje të noterizuara të dëshmive të gjuhëve të huaja, nëse ka;

-kopje të noterizuara të gradës shkencore ose titujve akademikë, nëse ka;

-kopje të vërtetimit të besueshmërisë, të marrë nga komisariati përkatës, e lëshuar jo më herët se 3 muaj nga data e paraqitjes së shprehjes së interesit;

-dokumentin shëndetësor që dëshmon aftësinë për punë, e lëshuar jo më herët se 3 muaj nga data e paraqitjes së shprehjes së interesit;

-një vetëdeklarim që kandidati nuk është në konflikt interesi në ushtrimin e detyrës;

-një vetëdeklarim që kandidati nuk është larguar nga puna më parë për shkaqe disiplinor dhe që nuk ka masë disiplinore në fuqi në momentin e kandidimit.

Sa i përket vlerësimit, kandidatët, brenda 7 ditëve nga shpallja e thirrjes për aplikim, duhet të dorëzojnë dokumentacionin e plotë të përcaktuar në Udhëzimin nr. 160, datë 2.9.2024.

Pas përfundimit të afatit 7-ditor për paraqitjen e shprehjes së interesit, Ministria e Brendshme publikon në faqen zyrtare emrat e kandidatëve.

Brenda 10 ditëve pune nga përfundimi i afatit të dorëzimit të shprehjeve të interesit, Komisioni i Posaçëm kryen vlerësimin paraprak, me qëllim verifikimin e plotësimit të kushteve ligjore.

Në përfundim të vlerësimit paraprak, Komisioni harton listën e kandidatëve që plotësojnë kushtet ligjore dhe të kandidatëve që nuk i plotësojnë këto kushte, bazuar në dokumentacionin e paraqitur nga kandidati dhe dokumentacionin shtesë të mbledhur nga Komisioni.

Komisioni merr vendim për përjashtimin e kandidatëve që nuk plotësojnë kushtet ligjore dhe i njofton me shkrim kandidatët e përjashtuar, në mënyrë të arsyetuar për shkaqet e përjashtimit.

Komisioni organizon seancë dëgjimore me kandidatët dhe i njofton ata të paktën 3 ditë para seancës dëgjimore.

Anëtarët e Komisionit vlerësojnë të gjithë informacionin e vënë në dispozicion prej kandidatëve, dokumentacionin e mbledhur dhe informacionin e marrë gjatë seancës dëgjimore dhe i dorëzojnë Ministrit renditjen e kandidatëve, së bashku me vlerësimet me shkrim.

Shprehja e interesit dhe të gjitha dokumentet e kërkuara duhet të dorëzohen në adresën postare, ose në adresën elektronike.