Lajme

Hamas-i kërcënon me “luftë fetare” nëse Izraeli “shkel” Xhaminë Al-Aksa


Udhëheqësi i Hamas-it në Gaza, Yahya Sinwar deklaroi se lëvizja islamike palestineze “nuk do të hezitojë të ndërmarrë asnjë hap” nëse Izraeli “shkel” Xhaminë Al-Aksa.

Lajmi u bë i ditur nga transmetuesi francez “France 24”.

“Populli ynë duhet të përgatitet për një betejë të madhe nëse okupimi nuk e ndal agresionin e tij kundër xhamisë Al-Aksa”, theksoi Sinwar.

Sipas tij, shkelja e Al-Aksës dhe Jerusalem-it do të thotë “një luftë rajonale, fetare”.

Duke treguar një foto pas tij të policisë izraelite brenda xhamisë Al-Aksa, Sinwar kërcënoi me dhunë kundër sinagogave në mbarë botën nëse veprimi do të përsëritej.

“Kushdo që merr vendimin për të lejuar që kjo foto të përsëritet, shkeljen e Al-Aksa – ai ka vendosur të lejojë shkeljen e mijëra sinagogave në të gjithë botën”, shtoi Sinwar.

Në fjalimin që zgjati një orë, Sinwar vlerësoi valën e fundit të terrorit kundër izraelitëve që ka lënë 15 të vdekur, shkruan Times of Israel.

Më tej, udhëheqësi inkurajoi palestinezët në Bregun Perëndimor dhe izraelitët arabë që të kryejnë më shumë sulme.

Përleshjet midis rebelëve palestinezë dhe forcave izraelite në kompleks, i cili nderohet si nga myslimanët ashtu edhe nga hebrenjtë, ndihmuan në ndezjen e një lufte midis Izrael-it dhe Hamas-it majin e kaluar.

Maja e kodrës është vendi më i shenjtë i judaizmit si vendi i tempujve biblikë, dhe Xhamia Al-Aksa është faltorja e tretë më e shenjtë në Islam.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore