Lajme

Hamas dhe pasurimi përmes kriptovalutave


Gazetari italian Davide Frattini i ka dedikuar një artikull organizatës palestineze “Hamas” dhe pasurimit të saj me miliona dollarë. Të gjitha këto, nëpërmjet kriptovalutave.

Fillimisht Frattini shkruan se aroma e kartmonedhave është një metodë e vjetër, lehtësisht e diktueshme nga qentë e policisë nëpër aeroporte, për të kaluar paratë.

Grupet terroriste, sipas tij, së bashku me ata që pastrojnë paratë janë zhvendosur në hullitë virtuale të pasurimit, ku nuk të ndihmojnë dot shqisat për t’i gjetur.

“Hamas – subjekt i sanksioneve sepse është në listën e zezë të amerikanëve dhe evropianëve – po merr gjithnjë e më shumë donacione dhe fonde nën një sistem kompleks të portofolave digjitale të krijuara përmes blockchain-s – sistem kriptovalute në kompjutera të ndryshëm të lidhur paralelisht – të njëjtat që përdoren për të investuar në monedhat e kriptuara”, shkruan Corriere Della Sera.

Frattini shkruan më tej se organizata që ka mbizotëruar Gaza-n që nga viti 2017, pasi mori kontrollin e saj me një grusht shteti kundër Autoritetit Palestinez, ka ngritur ekipet e saj kibernetike. Të inkuadruara, këto, në trupat e parregullta të brigadave “Ezzedin Al Qassam”.

“Kështu quhet krahu i ashtuquajtur ushtarak që administron fondet në internet dhe merr pjesën më të madhe”, shpjegon gazetari italian.

Gjatë luftës njëmbëdhjetë ditore kundër Izraelit në mes të majit, “ka pasur një hap të madh në ofertat për kriptovaluta, para që ne i përdorim për të mbrojtur të drejtat themelore të palestinezëve”, shpjegoi një shef i Hamas-it për gazetën amerikane “Wall Street Journal”.

Në kanalin Telegram, platforma për shkëmbimin e mesazheve të koduara, Brigadat mblodhën 261 mijë ndjekës të rinj, një rritje shumë më e madhe se llogaria zyrtare e Hamas-it.

Frattini shkon më tej teksa sqaron se Bitcoin ka hyrë në arkat virtuale të grupit por edhe konkurrenti Ethereum dhe madje Dogecoin.

Vitin e kaluar, amerikanët sekuestruan kriptomonedha me vlerë mbi 1 milion dollarë nga Hamas-i. Në këtë rast, konfiskim do të thotë të jesh në gjendje të identifikosh portofolet digjitalë që i përkasin organizatës dhe t’i bllokosh ato ose të transferosh shumat.

“Në fund të qershorit, izraelitët gjithashtu ndërhynë për të ndaluar këtë zinxhir: me ndihmën e kompanisë Chainanalysis, hakerat e ushtrisë rindërtuan kalimet midis adresave publike për donacione, portofolet e ndërmjetësve anonimë dhe ‘qendrave tregtare me rrezik të lartë’ të tilla si ato identifikuar në Idlib në Siri dhe në Iran”, nënvizon Frattini.

Ai shton në shkrimin e publikuar nga Corriere Della Sera se llogaritë e prekura – shumëzuar me përdorimin e kodeve QR në dispozicion të donatorëve për të krijuar gjithmonë llogari të reja – janë mbi 70.

Operacioni u bë publik dhe u rizgjua nga Benny Gantz, ministri i Mbrojtjes së Izraelit, si provë e kapacitetit teknologjik të ushtrisë.

Për Hamas-in, problemi më i komplikuar është shndërrimi i kriptovalutave në para që përdoren për trafikim.

“Për këtë arsye, ekstremistët vazhdojnë të përdorin sistemin e vjetër mbi të gjitha: fluksi i parave zhvendoset nëpër kabinat e këmbimit në të gjithë Lindjen e Mesme dhe prej andej me transferime të paligjshme në Rrip”, përmbyll shkrimin Frattini.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore