Lajme

Hallelujah e Leonard Cohen-it është “më shumë se një këngë”


“S’mund të kaloj nëpër mend ndonjë këngë tjetër me një trajektore si ajo e Hallelujah”.

Kështu është shprehur autori Alan Light i veprës mjeshtërore të kudogjendur të Leonard Cohen.

“Kur mendohet për himnet universale globale si ‘Imagine’ ose ‘Bridge Over Troubled Water’, ato kanë qenë hite të menjëhershme. Kurse Hallelujah u refuzua nga kompania diskografike dhe më pas u injorua plotësisht kur doli”, ka treguar ai.

Kështu vazhdon legjenda e këngës së Cohen-it. Ajo ka mahnitur breza të tërë dëgjuesish me mistikën dhe peshën që e veçon në shtigjet e historisë së muzikës.

Mbase kjo është edhe arsyeja pse Light ka shkruar një libër tërësisht për këngën: “The Holy Or the Broken: Leonard Cohen, Jeff Buckley dhe Unlikely Ascent of Hallelujah”, i vitit 2012.

Libri shërben si bazë për dokumentarin e ri “Leonard Cohen, A Journey, A Song”. Premiera e tij ka qenë në festivalin e filmit “Tribeca” në fillim të këtij muaji.

Drejtuar dhe prodhuar nga Dayna Goldfine dhe Dan Geller, filmi paraqet një pamje mikro dhe makro të këngës dhe Cohen-it, thellësisht të ndërthurura në kulturë.

“Leonard Cohen ishte profet”, ka pohuar Goldfine.

Ajo, bashkërisht me Geller-in, ka krijuar një karrierë duke drejtuar dokumentarë që fokusohen në muzikë. Në to përfshihet “Balets Russes” i vitit 2005, për kompaninë ruse të baletit të fillimit shekullit të XX-të.

“Leonard-i ishte i njohur për shkrimin e përjetshëm dhe poezinë e përjetshme që shkon përtej çdo epoke të veçantë”, ka vijuar Goldfine.

Referuar asaj, ai i trajtoi shqetësimet më të thella njerëzore me dëshirën për lidhje dhe për një lloj shprese, “transcendencë dhe njohje të vështirësive të jetës”.

Teksa “Hallelujah” mund të tingëllojë si një standard i vjetër, ose ndonjë himn i lashtë i kaluar nëpër shekuj, në fakt u shkrua në vitin 1983 duke përdorur një tastierë elektrike të dobët Casio.

“Nuk ka një tjetër si kompozitori Cohen”, ka ravijëzuar Light, për gjuhën që Cohen-i solli në artin e tij.

Qasja e tij ndaj gjuhës duket ndryshe nga puna e kujtdo tjetër. Dhe ato tingëllojnë të rrënjosura në poezi dhe letërsi, sepse ai studioi fillimisht si poet dhe romancier.

Cohen shkroi pa pushim. 180 vargje vetëm për “Hallelujah”.

Dramës së tij të qenësishme i shtohet vokali i thellë i versionit origjinal, me zërin e thellë të Cohen-it pas vitesh pirje cigaresh.

Por ishte Columbia Records, në një zgjedhje të ngjashme me Decca Records, që mori vendimin që “Hallelujah” dhe albumi prej të cilit vinte, “Various Positions”, nuk ofronin paketën komerciale që ata kërkonin.

Versioni i Cohen-it nuk u regjistrua në listat e Billboard-it deri në vdekjen e tij në vitin 2016 në moshën 82-vjeçare.

Arsyeja pse “Hallelujah” arriti të lartësohej, është falë një përzierjeje unike të versioneve, ngjarjeve kulturore dhe një cilësie magjike që kënga posedon.

Në vitet e fundit, “Hallelujah” ka pasur dhjetëra vendosje në televizione dhe filma. Po ashtu është kënduar nga të gjithë, nga Bob Dylan te “Bono”, Brandi Carlile te “Il Divo”.

Komediania Kate McKinnon e ka kënduar atë në karakterin e Hillary Clinton për të hapur episodin e parë të “Saturday Night Live” pas zgjedhjes së Donald Trump-it në vitin 2016.

Është edhe bollëku i konkurrentëve të konkurseve të këngës nga “The X Factor” te “American Idol”, të cilët e kanë kënduar himnin.

Fjala Hallelujah shfaqet nëpër fe dhe besime. Por Cohen ka lejuar që njerëzit të marrin atë që u nevojitet prej saj dhe atë që duan të jetë.

“Mendoj se kjo është arsyeja pse luhet kudo, nga dasmat te funeralet dhe lindjet”, ka shtuar Geller.

Për krijuesit e filmave, kanë qenë pamjet e Cohen-it duke kënduar “Hallelujah” në skenë gjatë një shfaqjeje në Oakland, Kaliforni, që pjesërisht i frymëzuan ata të sajonin dokumentarin.

“Thjesht nuk mund të ndaloja së menduari për këtë”, ka treguar Goldfine.

Për të, është “më shumë se një këngë… është një dokumentar për rolin dhe vendin e dikujt në jetë”.

Marrë nga “The Guardian”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore